Më 28 Qershor, ditën e Vidovdanit, do të ngrihet shtatorja me përmasa gjigande e Car Llazarit, në qendër të veriut të Mitrovicës.
Kjo shtatore që do të jetë ndër të parat për nga madhësia, është donacion i Qeverisë së Serbisë dhe ka kushtuar qindra miliona dinarë, raporton KosovaPress.
“Shtatorja do të jetë 12 ose 17 metra e lartë dhe do të vendoset tek rrethrrotullimi kryesor në qendër të veriut të Mitrovicës, ndërsa, në seancën e Kuvendit Komunal të veriut të Mitrovicës do të jepet edhe formalisht drita e gjelbër për këtë çështje”,
kanë thënë burimet.
Punimet në përgatitjen e vendit ku do të vendoset shtatorja është duke i realizuar kompania VPD ‘Dragobi’ nga Malisheva.
Sheshi i cili është duke u ndërtuar dhe ku do të vendoset kjo shtatore, mban po ashtu emrin e despotit serb “Car Llazar” dhe në vijat vertikale shtrihet deri në urë, nga pjesa veriore e Mitrovicës, me çka përfundimisht ura kryesore e Ibrit do të nxirret jashtë funksionit dhe ajo më nuk do të ketë asnjë vlerë.
Ndërkaq, në vijat horizontale, ky shesh do të shtrihet nga “Lagjja e Boshnjakëve” e deri tek “Tre rrokaqiejt”, që nënkupton se kjo zonë do të jetë e ndaluar për qarkullim të automjeteve dhe rrjedhimisht do të pamundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nga jugu në veri dhe anasjelltas./tvklan.al