Vetëm një muaj më parë gazetarja e njohur Anila Basha humbi babain.

Sot ajo sëbashku me nënën e saj Eftali Basha ishin në studion e “Rudina”, në Tv Klan, nga ku rrëfyen betejën e tij të vështirë me kancerin.

Gjatë emisionit, gazetarja tregoi se fillimisht mjekët i dhanë vetëm 6 muaj jetë babait të saj, por dëshira e tij për jetën dhe ushqimi i mirë bënë që të jetojë edhe 4 vite të tjera.

https://youtu.be/dmpd4OOPvtE?t=4m47s

“Kur babai u diagnostikua i dhanë vetëm 6 muaj jetë, por ne rifituam 4 vite falë kurajos së babit tim dhe dëshirës së tij për jetën. Kur mjeku më dha për herë të parë analizat e babait dhe më tregoi se ishte një kancer i avancuar në stadin e katërt, në momentin e parë nuk i tregova familjes. Mora analizat, u ula, qava shumë se e dija çfarë do të ndodhte më pas. Mjekët më thanë: Lëri lotët, vazhdo nga puna. Duhet të jesh e fortë psikologjikisht.

Kjo sëmundje sot nuk ka më moshë, nuk bën dallime, por e gjitha duhet të fillojë nga ushqimi. Babi me mua nuk e pranonte këtë historinë e largimit. Ngushëllimi i vetëm është që motra ime që jeton në Greqi javën e fundit para se të largohej babi erdhi dhe nuk u largua dot më. “Ne si ju kemi qëne dhe ju si ne do të bëheni”, është amaneti që babi i la motrës që ta shkruante si epitafi te varri i tij. Unë u habita kur e dëgjova. Ai kërkoi gjithashtu që gurin të mos e kishte të rëndë dhe mbi varr të mbilleshin lule dhe bar, nuk donte një varr klasik.

Mami e përjeton shumë edhe tani humbjen e tij. Ne fëmijët jemi larguar herët nga Lushnja, por prindërit kanë qenë shumë të lidhur me zonën dhe mami është personi që po e ndjen më shumë ikjen nga jeta të babit. Sëmundja që e gjithë familja përballoi dhe katër vitet e jetës së babait me kancer janë më së shumti falë mamit, e cila ka qenë kryedoktoresha, kryeinfermierja dhe kryekuzhinierja e babit. I ka patur të gjitha. Mami është njeriu që nuk ka reshtur kurrë, në mes të ditës apo natës i ka bërë të gjitha vetë”

tregoi gazetarja.

Gjatë emisionit Basha po ashtu i bëri thirrje të gjithë prindërve të cilët mund të kenë shqetësime të mos ngurojnë të njoftojnë fëmijët e tyre dhe të kryejnë sa më shpejt vizitat e nevojshme.

“Babi ishte i shqetësuar para 4-5 vjetësh dhe ngulmonte të mos më shqetësonte dhe e shtynin nga dita në ditë duke mos bërë asgjë deri në momentin që nuk mbante më. Nëse ne do ta kishim kapur këtë sëmundje më herët dhe jo në stad aq të avancuar mund të kishim fituar më shumë kohë. Kështu që të dashur fëmijë dhe prindër kudo që jeni, nëse keni shqetësimin më të vogël mos hezitoni të merrni kalamajt në telefon dhe t’i tregoni e të shkoni të vizitoheni se është gjëja më elementare që duhet të bëni për të fituar qoftë edhe pak gjë”,

tha ajo.

Ndërkohë nëna e saj, e përlotur nga humbja e të shoqit tha se beteja 4-vjeçare e tij me sëmundjen e kancerit ka qenë e trishtueshme.

“Prej 4 vitesh ne kemi luftuar me atë sëmundje. Ishte shumë e trishtueshme, kemi qënë në spitale të ndryshme. Ne kishim vajtur në spitalin e Lushnjes disa herë, por kur vumë re që ajo sëmundje nuk po shteronte se kishte hemoragji erdhëm në Tiranë. Bëmë analizat të cilat i dolën shumë keq. Për të mos shqetësuar fëmijët ne arritëm deri këtu. Ndoshta mund ta kishim kapur më para sëmundjen dhe im shoq mund të ishte edhe sot. Im shoq ishte i kujdesshëm, i merrte ilaçet dhe donte të jetonte sa më shumë. Ai bëri shumë kimio, gjë që e lodhi shumë, por ushqimi e mbajti. Ai hante shumë mirë, por dy javët e fundit e ndërpreu ushqimin dhe e kuptoi edhe vetë dhe filloi të linte porositë

”, tregoi Eftali Basha.

/tvklan.al