“Moody’s’ rishikon në rritje perspektivën e Shqipërisë duke e ndryshuar në “pozitive”. Agjencia ndërkombëtare parashikon që borxhi publik të zbresë në 56.3% në vitin 2024, ndërsa ekonomia e vendit të rritet me 3.5%. Flukset e investimeve të huaja direkte në turizëm dhe energji, si dhe rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës mbështesin një perspektivë pozitive ekonomike afatmesme.

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody’s” ka përmirësuar perspektivën e Shqipërisë nga “e qendrushme” që ishte më parë në “pozitive”. Ajo pasqyron mundësinë e një skenari më të mirë fiskal sesa pritej, i cili mund të rezultojë në një përmirësim të qëndrueshëm të forcës fiskale të Shqipërisë.

“Moody’s” vlerëson se raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit te Brendshëm Bruto u kthye në një trajektore të qëndrueshme rënëse në vitin 2022 duke parashikuar që ai të zbresë në 56.3% në vitin 2024 nga 59.2% që ishte një vit më parë.

Agjencia vlerëson se përmirësimi i konsiderueshëm i bilancit të llogarisë korrente kohët e fundit pritet të jetë strukturor, me vetëm deficite të vogla të parashikuara për vitet 2024-2025, të mbështetura nga bumi i turizmit dhe rritja e remitancave.

“Moody’s” shkruan në raportin e saj se flukset e qëndrueshme të investimeve të huaja direkte në turizëm dhe energji, përmirësimet në produktivitet, si dhe rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës mbështesin një perspektivë pozitive ekonomike afatmesme. Agjencia parashikon një rritje reale të Prodhimit të brendshëm bruto së në 3.5% në vitin 2024. Sipas vlerësimeve sistemi bankar mbetet i fortë dhe me likuiditet të lartë.

Një njoftimin e publikuar Moody’s citon se profili i besueshmërisë së Shqipërisë do të rritet gjithashtu nga zbatimi gradual i reformave të mëtejshme që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE. Një muaj më parë ishte agjencia Standard and Poors që rriti për herë të parë vlerësimin për Shqipërinë duke theksuar përmirësimin e pozicionit fiskal dhe raportit të jashtëm të vendit.

Tv Klan