Demokratët kërkojnë dëshmitarë, republikanët kundërshtojnë

Ende pa nisur, gjykimi i Presidentit Trump në Senatin Amerikan po përballet me zvarritje. Republikanët dhe demokratët nuk bien dakord për mënyrën e hetimit penal.

Kreu i republikanëve në senat Mitch McConnell kërkoi procedurë të përshpejtuar gjykimi, pa dëshmitarë, një mundësi që ia lejon Kushtetuta. Por për demokratët, një proces i tillë ngre dyshime për ndershmërinë e gjykimit. Ndaj dhe drejtuesja demokrate e Dhomës së Ulët të Kongresit, Nancy Pelosi tha se nuk do të dërgojë dosjen me akuza në Senat, deri kur republikanët të pranojnë dëshmitarë gjatë gjykimit, të cilët garantojnë proces të ndershëm.

“Kur themeluesit e kombit shkruan Kushtetutën, hetimi ngrihej mbi dyshimet për një president mashtrues. Por mendoj se ata nuk e kishin parashikuar që edhe presidenti edhe drejtuesit e Senatit të ishin mashtrues”.

Bashkë me akuzat, Dhoma e Ulët dërgon në Senat edhe përfaqësuesit, të cilët luajnë rolin e prokurorëve. Ndërsa senatorët krijojnë trupin gjykues. Përmes Twitter, Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi demokratët se kanë ngritur akuza politike të pabazuara në fakte.

“Pasi demokratët më bënë një proces jo të rregullt në Dhomën e Ulët, pa avokatë, pa dëshmitarë, pa asgjë, tani i tregojnë Senatit si duhet bërë gjykimi. Dua një gjykim të menjëhershëm”.

Gjykimi në senat pritet të nisë në Janar. Përfundimi sa më shpejt i këtij procesi, në përfundim të të cilit ka pak gjasa që Trump të shkarkohet, pasi shumicën e kanë republikanët, është në favor të Presidentit. Nëse gjykimi zgjatet deri gjatë fushatës elektorale, kjo do të ndikonte negativisht në opinionin e zgjedhësve amerikanë për Trump-in.

Tv Klan