Përmbyten toka në Shkodër. Në zonat malore rikthehet dëbora

I gjithë vendi u përfshi nga reshje të dendura shiu dhe dëbore mëngjesin e së kësaj të hëne duke shkaktuar probleme në disa qytete.

Në Bushat të Shkodrës për shkak të reshjeve të dendura të shiut janë përmbytur disa hektarë tokë bujqësore. Situata ishte më e qetë gjatë pasdites për shkak pakësimit të reshjeve.

Këto janë pamjet e lumit Drin, i cili është mbi kuotat mesatare. Në zonat malore të veriut të vendit, disa rrugë kalohen me zinxhirë.

Reshjet e shiut shkaktuan probleme në mëngjes edhe në rrugët e qytetit të Durrësit. Sektori i ngarkim shkarkimit në port vazhdimisht ka pezulluar punën, ndërsa anijet e peshkimit prej ditësh nuk dalin në det të hapur.

Sipas agjencisë kombëtare të mbrojtjes civile, qarqet më të rrezikuar nga përmbytjet janë Shkodra, Lezha. Durrësi, Fieri dhe Vlora.

Rreth 80 % e fshatrave dhe një pjesë e qytetit të Lezhës janë pa energji elektrike. Probleme ka pasur edhe në qarkun e Shkodrës dhe Dibrës.

Reshtje e 24 orëve të fundit kanë përmirësuar situatën hidrike në kaskadën e Drinit, ku prurjet sipas KESH llogariten në 1481 m3/s, ndërsa niveli në hidrocentralin e Fierzës ka arritur në 275 metra.

Tv Klan