Tenistja japoneze u detyrua që të tërhiqej nga turneu i Canada Open për shkak të një dëmtimi

Ylli i tenisit Naomi Osaka shpërtheu në lot pas tërheqjes nga turneu i Canada Open.

Sportistja japoneze nuk arriti ta përfundonte sfidën e raundit të parë për shkak të një dëmtimi në shpinë.

Tenistja rrezikon që të mos marrë pjesë as në turneun e Us Open.

Katër herë fituesja e Grand Slam po ndeshej kundër estonezes Kaia Kanepi dhe kur takimi shkoi 7-6, 3-0 ajo vendosi të tërhiqej, e nuk i mbajti dot lotët ndërsa po largohej nga fusha.

“Ndjeva dhimbje në shpinë që nga nisja e takimit, e pavarësisht se u përpoqa të vazhdoja, e kisha të pamundur. Përgëzoj Kaia-n që luajti mirë dhe i uroj asaj më të mirën për pjesën e mbetur të turneut”.

Dalja e parakohshme nga turneu është një tjetër goditje për 24-vjeçaren, që në muajt e fundit ka vuajtur që të gjejë formën më të mirë.

Edhe pse ajo arriti në finalen e Miami Open më herët këtë vit, mori pjesë në vetëm 4 turne në vitin 2022.

Osaka ka pasur një dëmtim në tendinën e Akilit, që e ka penguar të japë më të mirën. Gjithashtu ajo ka treguar për problemet me depresionin dhe ankthin në vitet e fundit.

Klan News