Kjo tortë që ëmbëlsoi Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s të pranishëm dy ditët e fundit në Bruksel për të diskutuar për sfidat e radhës, ishte porositur për të festuar edhe 75-vjetorin e krijimit të aleancës ushtarake veri-atlantike dhe më të madhes në botë.

E themeluar për të garantuar sigurinë përballë Bashkimit Sovjetik, NATO vijon të ketë edhe sot pas 7 dekadash e gjysmë të njëjtën sfidë, garantimin e sovranitetit të aleatëve përballë Rusisë, bërthamës së dikurshme të Bashkimit Sovjetik.

Cenimi nga Rusia i sovranitetit të një vendi europian si Ukraina dhe rreziku i përhapjes së luftës në vendet e NATO-s ishte në fokusin e takimit 2-ditor në Bruksel, ku u ra dakord për një paketë 100 miliardë dollarëshe, ndihmë nga vendet e aleancës për Ukrainën.

“Jemi duke punuar së bashku për të çimentuar rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO. Kjo është në interes për sigurinë e Ukrainës dhe tonën”, tha kreu i NATO-s Jens Stoltenberg.

Në Ministerial ishte i pranishëm edhe kryediplomati ukrainas Dimitro Kuleba, i cili u kujdes të sqaronte se prania e tij nuk ishte për të zbehur festën e ditëlindjes, por në kushtet e luftës ku ndodhet vendi i tij, kërkoi edhe një herë ndihmë ushtarake, konkretisht raketa Patriot.

Tv Klan