57-vjeçari pësoi atak kardiak para ndeshjes së Serie A, Atalanta-Fiorentina

Klubi italian i Fiorentinës është në zi. Drejtori i Përgjithshëm, Giuseppe Barone ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, duke mos ia dalë të fitojë betejën me atakun kardiak.

Barone pësoi goditjen në zemër gjatë kohës kur ishte në hotel në Bergamo, pak orë para ndeshjes mes Atalantës dhe Fiorentinës, e cila më pas u shty nga Liga e Serisë A pikërisht për shkak të gjendjes shëndetësore të administratorit të klubit vjollcë.

57-vjeçari u transportua me helikopter drejt klinikës në Milano, ku kreu edhe një ndërhyrje kirurgjikale. Giuseppe Barone do të festonte ditëlindjen e 58 pikërisht më 20 Mars, teksa në krah të tij në momentet e fundit të jetës ishin bashkëshortja, katër fëmijët dhe disa përfaqësues nga klubi i Fiorentinës.

E gjithë bota e futbollit ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Barone, arkitekt i sukseseve të Fiorentinës në vitet e fundit.

Klan News