Mobilizimi për të ecur përpara si grup dhe për të lënë pas humbjes zhgënjyese ndaj Izraelit. Kjo ishte kryefjala e konferencës për shtyp e trajnerit të kombëtares shqiptare, Edi Reja në prag të duelit të fundit në grupin e Ligës së Kombeve kundër Islandës në “Air Albania”.

“Kur pëson demoralizohesh, por nuk duhet të ndodhi sepse është koha e duhur për të rikuperuar. Duhet një organizim i mirë dhe skuadra të ruajë ekuilibrin, kërkuam fitoren dhe lamë hapësira. Është pjesa psikologjike që duhet të ndihmojë lojtarët dhe të kuptojnë se është mundësia për të ndryshuar ndeshjen. Unë mendoj vetëm për Islandën dhe më pas ka kohë për të menduar, Zoti e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.

Ndryshimet në skemë pritet të jenë sërish prezente ndaj ishullorëve, ku do i besohen minuta lojtarëve që nuk u aktivizuan në duelin e së shtunës. 

“Disa ndryshime do të jenë me siguri sepse bëhet fjalë për ndeshje brenda tre ditësh. Shpresoj t’i kem të gjithë në dizpozicion, janë disa lojtarë që në klube kanë luajtur pak dhe në situata të tilla ndihen probleme”.

Sulmuesi i kombëtares, Sokol Cikalleshi pranoi se skuadra ka bërë analizë të thelluar pas sfidës së “Tel Aviv” dhe në duelin e radhës duhet të evidentojnë gabimet individuale. Përballja e orës 20:45 në “Air Albania” do të transmetohet ekskluzivisht falas në Televizionin Kombëtar Klan.

Klan News