Ibrahimaj: Importuesit në skemë, ata që duan TVSH të bëjnë kërkesë

Të gjithë bizneset të cilët përgjatë këtij viti kanë realizuar një xhiro vjetore poshtë kufirit të 10 milion lekëve të rinj, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do të lëshojnë faturë me TVSH zero. Në një intervistë për Televizionin Klan, drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, sqaron se çregjistrimi nga sistemi i tatimit mbi vlerën e shtuar për këtë kategori do të bëhet në mënyrë automatike, në bazë të deklaratës së të ardhurave që bizneset duhet të dorëzojnë brenda 14 janarit.

“Nuk duhet të lëshojnë më fatura. Procesi do të jetë një proces automatik. Pra ne pas datës 14 Janar, të gjitha subjektet që nuk kanë kaluar qarkullimin prej 10 milionë lekësh do t’i nxjerrim nga skema e TVSH-së”.

Në bazë të deklaratës, tatimet do të çregjistrojnë çdo biznes me përjashtim të atyre që do të bëjnë një kërkesë dhe kanë një xhiro deri në 5 milion lekë në vit, ndërsa importuesit do të vijojnë të mbeten në këtë skemë.

“Të gjithë subjektet që gjatë vitit 2020 kanë realizuar një import do të vazhdojnë të ngelin në skemën e TVSH-së pasi supozohet që do të importojnë dhe për të kryer një veprim importi duhet të jesh pjesë e skemës”.

Një tjetër kategori biznesesh që do të përfitojnë 0 taksë të tatimit mbi fitimin, janë ata me të ardhura deri në 14 milion lekë këtë vit. Delina Ibrahimaj thotë se gjithsesi deklaratat tatimore duhet të dorëzohen.

“Pavarësisht se kanë gjeneruar fitim gjatë vitit 2020 nuk do të paguajnë tatim mbi fitimin, apo tatim mbi fitimin e thjeshtuar”.

Bizneset që do të dalin nga skema e tatimit mbi vlerën e shtuar kanë afat të rregullojnë gjendjen e tyre kreditore për mallrat që kanë blerë me TVSH brenda 10 janarit, ndërsa në të ardhmen çdo mall që është i blerë me këtë taksë do të shkarkohet vetëm te çmimi.

Tv Klan