Lëkundjet sizmike nuk tronditën vetëm vendin tonë ditën e martë. Disa tërmete u shënuan në vende të ndryshme të botës. Megjithatë lëkundjet më të forta ishin ato që u ndjenë në Karaibe. Ishin dy tërmete që tronditën ishujt, i pari me magnitudë 7.7 të shkallës Rihter, që goditi brigjet e Xhamajkës në orën 14:10 me orën lokale (20:10).

Lëkundjet ishin kaq të forta sa detyruan autoritetet që të evakuonin njerëzit deri në vende si Miami, Florida. Vetëm 2 orë më vonë, një tjetër tërmet me magnitudë 6.1 ra në brigjet e Ishujve Kajman, duke shkaktuar dëme të shumta.

Tërmeti i parë, me magnitudë 7.7, ra në veriperëndim të Xhamajkës dhe juglindje të Kubës. Duke folur për të përditshmen The Independent, një person tha se kishte qenë një prej tërmeteve më të forta që kishte ndjerë ndonjëherë më parë. Një tjetër tregoi se lëkundjet kishin zgjatur të paktën 1 minutë.

Në Ishujt Kajman një gropë u hap në tokë si pasojë e lëkundjeve të forta, ndërsa krijoi të çara në rrugë. Megjithatë deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme serioze.

Po gjatë ditës së djeshme, lëkundje tërmeti pati edhe në Turqi. Ato ishin më magnitudë 4.9 të shkallës Rihter dhe me epiqendër në provincën perëndimore të Manisës. Tërmeti ra në orën 14:26 me orën lokale.

Pak orë më vonë, një tërmet me magnitudë 5.4 të shkallës Rihter lëkundën ishujt Dodekaneze në Greqi. Tërmeti ra në orën 17:38 me orën lokale dhe u ndjenë edhe në Turqi.

Më pas, në orën 21:15 tërmeti me magnitudë 5.1 të shkallës Rihter tronditi vendin tonë, duke u pasuar nga një tjetër lëkundje me magnitudë 4.1, në orën 21:17. Tërmeti i parë e kishte epiqendrën 18 kilometra nga Shijaku dhe 34 kilometra nga Tirana. Ndërsa lëkundja e dytë ishte 5 kilometra nga Fushë-Kruja dhe 23 kilometra nga Tirana.

Përveçse frikë tek banorët, kryesisht atyre të Durrësit e Tiranës, fatmirësisht lëkundjet nuk shkaktuan dëme apo të lënduar./tvklan.al