Ende nuk është arritur marrëveshja për identifikimin biometrik

35 nga 92 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor janë konsitituar këtë të mërkurë. Deri të premten e 29 Janarit do të ketë përfunduar i gjithë procesi i ngritjes së këtyre komisioneve që kanë përgjegjësinë për administrimin dhe zhvillimin e procesit zgjedhor në të 12 qarqet.

Kryeqyteti ka 11 KZAZ dhe njëra prej tyre ajo me numër 39 siç do proces zgjedhor është e vendosur pranë ambienteve të Muzeut Kombëtar. Përbërja ndryshe nga zgjedhjet lokale të 2019 është me përfaqësues të PD, LSI dhe Socialdemokrateve të Tom Doshit. Për shkak se është KZAZ me numër tek ajo drejtohet nga demokratet të cilët që në takimin e parë shprehen pakënaqësitë për kushtet.

“S’ka masa anti-Covid këtu…këtu s’ka kushte as ngrohje as zyra”

Por kur na ndajnë vetëm 3 muaj nga zgjedhjet ende nuk është e qartë nëse shqiptarët do të votojnë siç tradicionalisht kanë votuar apo do të përdorin teknologjinë siç është rënë dakord në marrëveshjen e 5 Qershorit. KQZ ende është në proces negociatash me të vetmen kompani që u kualifikua për të mundësuar pajisjet e identifikimit biometrik në të gjitha qendrat e votimit.

Ndërkohë që ende nuk është hapur gara për pajisjet për votimin dhe numërimin elektronik që në këto zgjedhje do të jete thjesht projekt pilot. Por dhe  partitë politike nuk kanë gjetur dakordësinë për zonat ku do të pilotohet teknologjia. Socialistet kërkojnë Tiranën dhe Korçën ndërsa demokratet Korçën dhe Fierin. Në këto kushtet do të vendos vetë KQZ për përzgjedhjen e 2 bashkive.

Tv Klan