Pas përzgjedhjes së jurisë, në Nju York nisi gjypi i parë penal për ish-Presidentin amerikan Donald Trump.

Prokurorët u shprehën në nisje të procesit se, Donald Trump u përpoq të ndikonte në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke ndalur publikimin e historive të dëmshme rreth jetës së tij.

Ky ishte një konspiracion i planifikuar dhe i zgjatur për të influencuar zgjedhjet e vitit 2016, për ta ndihmuar Donald Trump-in të zgjidhej nëpërmjet pagesave të paligjshme për të heshtur njerëzit”, tha prokurori Matthew Colangelo.

Avokati mbrojtës u kundërpërgjigj duke e kritikuar padinë si të pabazë. “Presidenti Trump është i pafajshëm, nuk ka bërë ndonjë shkelje. Prokuroria e Manhatanit nuk duhet ta kishte ngritur fare këtë padi”, tha avokati Todd Blanche.

Juria përbëhet nga 12 anëtarë dhe kishte këndvështrime të ndryshme me palën mbrojtëse. Prokurorët u përpoqën që në fillim të çështjes të ngrenë rëndësinë e saj, duke theksuar se Donald Trump kishte ndërhyrë në zgjedhje.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të 2016, kandidati republikan kishte paguar aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, që të heshte për lidhjen e tyre për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me Trump. Këtë pagesë ai e justifikoi si shpenzim gjatë fushatës elektorale.

I akuzuari, Donald Trump, orkestroi një skemë kriminale për të korruptuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Më pas ai e mbuloi këtë konspiracion duke gënjyer në të dhënat e biznesit të tij në Nju Jork, disa herë dhe në mënyrë të përsëritur”, tha prokurori Colangelo.

Trump prillin e kaluar u deklarua i pafajshëm për një aktakuzë prej 34 pikash që e akuzonte atë për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë që avokati i tij i atëhershëm Michael Cohen i kishte bërë Daniels në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Sidoqoftë, ish-presidenti Trump është përpjekur ta shndërrojë statusin e të akuzuarit në një vlerë për fushatën e tij, duke mbledhur fonde për sfidat e tij ligjore dhe duke sulmuar vazhdimisht një sistem gjyqësor për të cilin ka pretenduar prej vitesh se është përdorur si mjet kundër tij.

Klan News