Procesi i vetingut ka hyrë në një fazë tepër interesante. Në sitën e tij gjatë muajit Qershor dhe Korrik do të kalojnë të gjithë prokurorët që kanë aplikuar për SPAK. I pari që doli para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte prokurori Shkëlzen Cena, i cili kishte probleme në të tre kriteret e vlerësimit.

Këtë të enjte doli para trupës edhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi, i cili ka hetuar Emiljano Shullazin dhe Klemend Balilin. Sa i përket pasurisë, Nakuçi kishte probleme disa hua në vlerat e 10 mijë dollarëve, për blerjen e një apartamenti. Por pika më e nxehtë e seancë ishte debati mes prokurorit dhe përfaqësuesit ndërkombëtar Teo Jacobs. Ky i fundit kërkoi shpjegime për një hetim të cilin prokurori e kishte pushuar.

“Janë pesë apo gjashtë persona të dyshuar për trafik droge. Ju pushuat çështjen. Duke qenë se ishin përcjellë përgjime telefonike, fantazia juaj qëndroi vetëm tek këto materiale dhe pse nuk shkoi më tej. Nuk po flas për afatet e përgjimit, ka mënyra të tjera hetimi, a mund të bëni diçka përtej përgjimeve telefonike”.

Nakuçi u përgjigj duke sqaruar se gjatë përgjimit nuk u konstatuan elemente të veprës penale dhe se gjykata mund t’i bllokonte punën nëse nuk kishte prova bindëse. Ervin Kondili ishte kandidati i radhës për SPAK që u përball me vetingun. Prokurori që hetoi trafikun e 613 kilogramë kokainë në një kontenier me banane të kapur në Durrës, nuk kishte probleme me pasurinë, pastërtinë e figurës apo aftësitë profesionale.

Tv Klan