I pyetur për deklaratat e ministrit të jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, Presidenti i Republikës Bujar Nishani  thotë se nuk mund të komentojë deklaratat e zyrtarit gjerman. Kreu I Shtetit shprehet se edhe shqiptarët meritojnë të kenë të njëjtat standarte që kanë qytetaret në Gjermani dhe Europë.

“Unë nuk jam takuar me ministrin gjerman, nuk bëj komente të diplomatëve të huaj, padyshim që Shqipëria ka tek Gjermania një aleat të madh, të pazëvendësueshëm dhe strategjik dhe jam i bindur se Gjermania, siç ka qenë deri sot avokate e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë përmes standardeve të larta, të gjithë pranuara nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, do të jenë gjithmonë inkurajuese nga këto autoritete edhe për Shqipërinë  dhe shqiptarët.  Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë të kenë të njëjtat standarde që kanë qytetaret në Francë, Gjermani, Britaninë e Madhe dhe në çdo vend të BE-së,që është destinacioni ynë i vetëm”.

Presidenti i Republikës thotë se palët politike duhet të dialogojnë për të arritur një kompromis mes tyre për të zgjidhur situatën.

“Historia na ka mësuar që dialogu është mjeti më i mirë, përmes dialogut arrihet edhe kompromisi, mirëkuptimi dhe respektimi i standardeve, të cilat janë të detyreshme për të gjitha palët….”

Kreu i shtetit është shprehur i gatshëm edhe më herët për të ndërmjetësuar tryezën e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike, por palët nuk kanë gjetur ende dakordësinë.

Tv Klan