Fushatës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve u janë bashkuar edhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Andrea Stefani”. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se nismës së bashkisë duhet t’i bashkohen edhe ata që vetëm kritikojnë.

“Për të gjithë ata që kritikojnë se Tirana nuk ka mjaftueshëm gjelbërim, do të kishim më shumë gjelbërim sikur secili që ankohet të ketë mbjellë edhe ai një pemë. Shpresoj shumë që ta kthejmë cinizmin dhe kritikën në një sjellje pro aktive, ku secili bën të veten”.

Sipas Veliajt, si rezultat i mbjelljes së pemëve në njësinë bashkiake nr.11, tashmë ka një park të ri.

“Këtu jemi te fusha e pallateve “Malajzane”. Siç e shikoni, shumë nga pemët që kemi mbjellë para 2-3 vitesh, tashmë kanë hedhur shtat. Jemi në fazën kur nga një park, le të themi spontan, mund ta kthejmë në një park të rregullt. Do të presim të mbarojë stina e mbjelljeve dhe shirave, që gjatë verës të merremi me konturimin e parkut, për ta kthyer këtë hapësirë, nga një hapësirë transit, ku njerëzit thjesht kalojnë nga një lagje tek tjetra, në destinacion, ku njerëzit vijnë me arsyen kryesore për të kaluar kohë cilësore në park”, u shpreh më tej Veliaj.

Duke u ndalur te projektet e reja që pritet të zbatohen brenda këtij mandati, Veliaj tha se shumë shpejt do të nisin punimet për terminalin verior të autobusëve.

Tv Klan