Endri Prifti dhe Gresa Gjocera sapo kanë sjellë bashkëpunimin e tyre më të ri “E poshtër ♥ (Më besoje)” të cilin e prezantuan edhe në “Rudina” në Tv Klan. Por përveç projektit, dyshja realizoi edhe një intervistë me shumë humor e karizmë duke iu përgjigjur pyetjeve për dy krahinat e tyre, Korçën dhe Kukësin.

Një ndër pyetjet ishte edhe të kujtonin një shprehje tipike vendase. Endri e cilësoi veten autor të “o korçare, o hiç fare” dhe pas një diskutimi me Magjistarin, rezultoi se ka qenë shprehje e ish-bashkëshortes së tij.

Rudina Magjistari: Na thuaj një shprehje Korçe që ti e përdor më shpesh, Endri.

Endri Prifti: Se na shkatërrove fare.

Rudina Magjistari: Avash ti se s’është shprehje tipike kjo!

Endri Prifti: Është shprehja ime, e kam shpikur unë këtë.

Rudina Magjistari: Na gjej një me dialekt tani, një gjë që të jetë tipike korçare.

Endri Prifti: S’të pëlqen kjo ty? Kjo është nam i zi.

Rudina Magjistari: Po nuk ke sjellë Korçën me këtë shprehje, këtë e thonë të gjithë.

Endri Prifti: E kam thënë unë këtë, i pari fare.

Rudina Magjistari: E duam korçare, jo vetëm të Endrit. E duam prej Korçe.

Endri Prifti: O korçare, o hiç fare! Unë e kam thënë edhe këtë.

Rudina Magjistari: Ti e ke thënë? Jo, jo kjo është thënë dikur nga një Miss se e ka thënë një Miss.

Endri Prifti: Po këngën e ke dëgjuar “O korçare, o hiç fare”  që kemi nxjerrë ne?

Rudina Magjistari: Po, por e keni bërë mbrapa. Kjo shprehje i kreditohet një Miss-i, ka qenë një konkurs bukurie që duhej të thonin të gjitha nga një gjë dhe vajza ishte nga Korça si duket, ka qenë Miss Albania dhe ajo thotë “o korçare, o hiç fare!”, më zgjidhni mua.

Endri Prifti: Është gruaja ime e parë.

Rudina Magjistari: Vërtet e ke?

Endri Prifti: Po. Oriona Kaçaku, po.

Rudina Magjistari: Epo atëherë të takoka ty merita, paske të drejtë që ngul këmbë, e paska thënë Endri./tvklan.al