Në krah të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i kujtoi Kosovës se ka premtuar se të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Zyrtari i lartë amerikan tha se Uashingtoni pret që ky zotim të realizohet.

James O’Brien, Ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit: Asociacioni është i rëndësishëm për serbët në Kosovë në mënyrë që ata të kuptojnë se si do të duket jeta e tyre. Nëse ka shqetësim se komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush obligimin për të ndihmuar në këtë çështje, unë shpresoj që ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorën tonë për të ndihmuar në përmbushjen e premtimit ndaj vetes dhe të tjerëve.

Ndërsa presidenti serb tha se mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara kishte pak gjëra për të cilat binin dakord, por njëra nga këto ishte garantimi i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: Ne pajtohemi se është shumë e rëndësishme që të ruhen paqja dhe stabiliteti. Nga ana serbe, premtoj që Serbia do të sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe serioze.

Vuçiç i tha zyrtarit amerikan se shqetësim për Beogradin është edhe një rezolutë që pritet të miratohet në Kombet e Bashkuara që e cilëson gjenocid atë që ndodhi në Srebrenicë. O’Brien iu përgjigj se qëllimi i Uashnigtonit është të ketë partneritet me Serbinë dhe këdo tjetër që duhet të përballet me të vërtetën.

Tv Klan