Ish-Kryeministri Sali Berisha i ftuar në Opinion përballë gazetarit Blendi Fevziu.

Berisha: Ky vendim politik, nuk prek vetëm Sali Berishën por prek të djathtën në tërësi

Vendimi “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sali Berisha thotë se nuk prek vetëm atë, por edhe të djathtën shqiptare në tërësi.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Berisha tha se ndaj qeverisë Rama është mbajtur anë nga zyrtarë të caktuar të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Blendi Fevziu: Si e shihni deklaratën e PD për vendimin e Departamentit të Shtetit?

Sali Berisha: Deklaratën e Partisë Demokratike e kanë bërë për ish-liderin historik të saj.

Blendi Fevziu: A i jep kosto ky vendim PD?

Sali Berisha: Ky vendim është politik dhe nuk prek vetëm Sali Berishën, por prek të djathtën në tërësi. Mos të bëjmë sikur s’i dimë gjërat, se kur deklaron që besoj është e qartë anësimi në anën e qeverisë që është mbajtur.

Blendi Fevziu: Është mbajtur nga kush anësimi në favor të qeverisë? Nga Departamenti i Shteti?

Sali Berisha: Nga zyrtarë të ndryshëm. Pse jo?

Blendi Fevziu: Po pse ja bëjnë këtë favor Edi Ramës sipas jush?

Sali Berisha: Spektri politik është spektër politik, këtë mos e harro. Unë të shpjegova, nuk kam pasur kurrë as problemin më të vogël me administratën republikane.  

Shpallja “non grata”, Berisha: Rama ka iniciuar procesin duke çuar dosje në Amerikë ndaj meje

Ish-kryeministri Sali Berisha nga studio e emisionit “Opinion” në Tv Klan ka hedhur akuza kundër kreut të qeverisë Edi Rama, se është ai që ka dërguar dosje në Departamentin e Shtetit për shpalljen ‘non grata’.

Berisha tha se Rama nuk ka pse të reagojë, pasi ai ka dërguar dosjet, por shtoi se është i bindur se nuk ka asnjë provë kundër tij.

Blendi Fevziu: Kryeministri Rama nuk ka reaguar për këtë çështje.

Sali Berisha: Po pse të reagojë? Pse atë reagojë ai? Ai ka çuar dosjen dhe kaq.

Blendi Fevziu: Dosja tregon diçka nëse e ka çuar.

Sali Berisha: Absolutisht mashtrim. Nëse ka le ta nxjerrin.

Blendi Fevziu: Mendoni që është Rama ai që e ka iniciuar këtë.

Sali Berisha: Pa diskutim.

Blendi Fevziu: Nga Shqipëria?

Sali Berisha: Po të mos të ishte nga Shqipëria, nuk do të klithe zhvillime në Uashington.

Blendi Fevziu: Po thoni që Uashingtoni mund të gënjehej nga dosja e Ramës kjo duket akoma më e rëndë.

Sali Berisha: Që i merr dosje qeverisë i merr. 

Blendi Fevziu: I merr por i shqyrton

Sali Berisha: Po një gjë që nuk qëndron, nuk qëndron. Ja do të shkojmë në gjykatë.

Sali Berisha: 2 momentet e vështira të miat me amerikanët

Dy momente të vështira ka patur gjatë jetës politike me administratën amerikane ndër vite ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili së fundmi është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha ka zbuluar këto dy memente. Ai thotë se kur në pushtet kanë qenë republikanët, me administratën amerikane nuk ka patur asnjë probleme.

“Unë dua t’i informoj opinionit dy gjëra. E para, gjatë viteve që republikanët kanë qenë në pushtet, kurrë nuk kam pasur absolutisht asnjë problem me administratën e SHBA. Asnjëherë! Kam patur probleme serioze me një person në administratën Clinton dhe për fat është e dokumentuar. Richard Schifter, i cili erdhi në mes të procesit të minoritarëve dhe më thotë në fund pasi hëngrëm dhe pimë kafe, do shkosh ta ndërpresësh gjyqin më tha.

Çfarë i thashë? Unë të dëgjova gjatë drekës por nuk fola dhe atë s’mund ta bëj kurrë i thashë. Ti mund të thuash a jep dorëheqje, dorëheqje mund të jap por atë nuk e bëj dot kurrë. Për ta dokumentuar këtë shko në bibliotekën e Clinton, e ke letrën. Çdo shqiptar që shkonte do ta njihte atë. Erdhi në Athinë kur u bënë zgjedhjet e 1996-ës. Këtë vendim nuk e kam marrë. Nuk kam marrë dot edhe një vendim tjetër. Asnjië shqiptar dhe asnjë në Ballkan s’ka marrë më shumë vendime në interes të Shqipërisë dhe SHBA-së më shumë se unë. Më kërkon në Lisbonë zv.presidenti Algor që të heqim paragrafin për Kosovën nga dokumenti i samitit, i cili ishte futur në 1992-in dhe ishte fitorja më e madhe ndërkombëtare. Vjen Zef Mazi dhe më thotë të kërkojnë se duan rusët të bëjnë një lëshim diku tjetër.

I thashë thuaju që më mirë kërko që unë të dal të njoftoj dorëheqjen, se unë në Shqipëri president nuk kthehem dot nëse bëj këtë lëshim. Absolutisht nuk kam kundërshtuar. Kam marrë çdo vendim tjetër nga 1993-shi. Ky kam qenë. Këto dy momente kam pasur unë me ata, nuk kam pasur asnjë moment tjetër. Me Clinton-in nuk kam pasur kurrë asnjë lloj problemi, nuk kam pasur as edhe njëherë me administratën Obama. Përkundrazi, Clinton na ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në projektin e TAP-it. Besoj se i ndamë gjërat”, deklaroi Berisha.

Berisha: 3 arsyet përse mund të jetë marrë vendimi “non grata” ndaj meje

Ish-Kryeministri Sali Berisha, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ka treguar 3 arsyet për të cilat beson se mund të jenë shkaqet përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta shpallin “non grata”.

Sipas tij, një ndër to është edhe qëndrimi që Berisha ka mbajtur kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Sali Berisha: Çfarë bëri Knuti? Mblodhi 5 OJF dhe çfarë ju tha bashkëpunëtori i Sorosit? Berisha tha është i lidhur me Putinin. Ato vdiqën gazi aty që ishin edhe të majtë i thanë Knut këtë mos e thuaj se nuk e beson njeri.

Blendi Fevziu: Z.Berisha mos shkojmë tek Knut mbetemi tek Departamenti Amerikan i Shtetit, si mendoni ju që George Soros ka influencuar politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Sali Berisha: A mund të më thuash kush e ka bërë projektin e ndarjes së kufijve të Kosovës? A e ka bërë “Fondacioni i hapur”? A mund të më thuash kush e bëri projektin e Reformës në Drejtësi?

Blendi Fevziu: Ka marrë pjesë, nuk e ka bërë Soros projektin, i ka dalë për zot Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin.

Sali Berisha: Shko merrja Eduart Halimit projektin e reformës, e ka hartuar grupi i Sorosit.

Blendi Fevziu: Po pse do vendoste Sorosi t’ju ndalonte juve dhe pse Departamenti i Shtetit do të ishte nën ndikimin e George Soros?

Sali Berisha: Jo, nuk thashë që ka vendosur Sorosi. Unë të thash që kjo është goditje e mirfilltë politike.

Blendi Fevziu: Po për cilën arsye? Çdo goditje e ka një arsye.

Sali Berisha: Për arsye se qëndrimet që unë kam mbajtur nuk janë pëlqyer. Qoftë për ndryshimin e kufijve, qoftë për Sorosin, qoftë për denoncimet e veprimeve antikushtetuese me Reformën në Drejtësi.

Blendi Fevziu: Po s’jeni i vetmi që e keni bërë këtë?

Sali Berisha: Ai besoj se e ka cituar aty.

Blendi Fevziu: Ai citon një gjë tjetër. Në gjykimin tim z.Berisha ka një perceptim te trupi diplomatik që nuk ka ndryshuar tek të huajt, por dhe në Shqipëri, që dhe mbas largimit nga Partia Demokratike ai që ka diktuar rrugën radikale të Partisë Demokratike. Për të mos votuar në fillim ose për të rezistencë në Reformën në Drejtësi, për largimin nga Parlamenti, për mospjesëmarrje në zgjedhje keni qenë ju dhe jo zoti Basha, për çadrën e vitit 2017-të.

Sali Berisha: Që të gjitha këto janë absolutisht të pavërteta.

Berisha tregon rolin që ka pasur në aksionet opozitare: Çadra vendim i Bashës, për djegien e mandateve…

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka folur sot për aksionet e opozitës që janë bërë pas largimit të tij nga qeveria. Berisha ka treguar rolin që ka pasur në ngritjen e çadrës para zgjedhjeve të vitit 2017, për djegien e mandateve, por dhe për mospjesëmarrjen në zgjedhje.

Berisha tha se këto vendime janë marrë nga Basha, dhe ai nuk është përzier, por shtoi se vetëm për djegien e mandateve ka dhënë një mendim.

Thonë që keni marrë vendimin për ngritjen e çadrës?

Unë çadrën kurrën e kurrës, ishte një ide e Lulzim Bashës. E mbështeta, por ata që më njohin e dinë si jam unë

Po për largimin nga Parlamenti?

Më nderon nëse ma faturon mua. Unë jam i vetmi që kam thënë vetëm dy fjalë, me këtë shkojmë në fitore ose në katastrofë.

Për mospjesëmarrjen në zgjedhje?

Nuk jam përzier fare.

Berisha: Në vitin 1993 më është bërë akuza më e rëndë

Ish-Kryeministri Sali Berisha në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka rrëfyer një ngjarje të shumë viteve më parë. Berisha ka kujtuar një ngjarje të vitit 1993-1994 dhe u shpreh se në atë kohë i është bërë akuza më e rëndë gjatë gjithë jetës së tij politike.

Ish-kreu i qeverisë tha se në atë kohë ishte akuzuar se kishte përkrahur terrorizmin, por shtoi se çdo gjë ishte akuzë politike.

“Akuza më e rëndë është se qeveria ime kishte penguar luftën kundër terrorizmit dhe vetëkuptohet se  kishte përkrahur terrorizimin. Ka bërë bujë kjo dhe ushtroi në të gjithë Europën. Filluan e sqaruan ata që i njihja dhe në këtë deklaratë ishte një poshtërsi njerëzore e pafundme. Pse? Këtu është bërë një operacion në 1993-1994 një operacion kundër terrorizmin nga më të përsosurit. Për këtë operacion gazetat më të mëdha shkruan për suksesin e Shqipërisë.

Iku ky operacion dhe ndërroi pushteti, erdhën këta dhe nxorën këtë që kishin dhënë një kontribut të jashtëzakonshme i hoqën nga shërbimi. Më pas erdhi një drejtor i rëndësishëm i departamenti dhe i kam thënë fjalë shumë të rënda që nuk ia kam thënë askujt. I fola shumë rëndë”, tha Berisha.

“Non grata në SHBA”, Sali Berisha flet për bashkëshorten dhe fëmijët

Pjesa e vendimit të SHBA për të shpallur “non grata” ishin edhe familjarët e ish-Kryeministrit Sali Berisha. I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Sali Berisha është shprehur se bashkëshortja e tij punon pa pagesë prej 15 vitesh në një fondacion për fëmijët autikë.

“Bashkëshortja ime ka punuar gjithë jetën e vetë në të njëjtën lagje dhe bashkëshortja ime nuk ka qenë kurrë anëtare e asnjë bordi për të marrë shtesë rroge. Ndoshta mund të jetë nga më të paktat që ka 15 vite që punon çdo ditë pa asnjë qindarkë me fondacionin për fëmijët autikë. Çfarë ka përfituar bashkëshortja ime. I ke përmendur tjetrit gruan, duhet të kesh ca baza kur ja përmend. Është e nderuar me çmime të larta të autizmit, të grave demokrate, të Kongresit amerikan”.

Berisha foli edhe për fëmijët e tij, ndër të cilët tha për djalin se nuk ka lidhje me Gërdecin dhe nuk ka përfituar para publike.

“Djali im në jetën e tij ka marrë 3 ose 4 muaj rrogë në një ndërmarrje publike dhe nuk ka marrë kurrë më asnjë rrogë. Nuk ka përfituar qoftë dhe 1 qindarkë nga sektori publik. Pushteti im si Kryeministër shtrohet në sektorin publik. Ai nuk ka përfituar një qindarkë në sektorin publik. Vajza ime ka bërë bilancin, ata kanë punuar 7 vite në Kosovë dhe të ardhurat 7-vjeçare të të dyve arrijnë në 1 milionë e 400 mijë Dollarë”. 

Berisha: Pasuria ime është shtuar me 34 metra katror shtëpi në 30 vite

Ish-Kryeministri Sali Berisha në një intervistë ne emisionin “Opinion” në Tv Klan ka komentuar sërish deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili e ka shpallur ‘non grata’ në SHBA. Berisha teksa ka analizuar tekstin e deklaratës së Blinken, tha se akuzat i bëhen për kohën kur ka qenë Kryeministër dhe pasi është larguar nga detyra.

Më tej ish-Kryeministri tha se në 30 vite politikë ai nuk ka shkuar asnjë pasuri, përveç 34 metrave katrorë shtëpi.

Deklarata është absolutisht pa asnjë bazë. Do e marrim rresht për rresht. Është në mënyrë absolute pa asnjë bazë. Kurrë nuk ka patur Sali Berisha akuzë për keqpërdorim të fonde publike. Kjo është për të dyja periudhat, kur kam qenë Kryeministër dhe më pas. Por të marrim kohën kur kam qenë Kryeministër, nuk ka pasur asnjë deklaratë për keqpërdorim fondesh.

Absurdi shkon deri aty ku thotë se pasuron aleatët. Aleatët pasurohen kur pasuron veten. Unë nuk mund të kuptojë kurrë një njeri që pasuron aleatët dhe jo veten. Ka nonsens aty se nuk kanë asnjë të dhënë. Sali Berisha sot pas 30 vitesh ka pasuri të shtuar 30 metra katror shtëpi dhe ka pasuri që janë të deklaruara. Nuk ka pasuri të tjera as në Shqipëri dhe në botë. Kush do që i gjen i ka të falura dhe unë mbaj përgjegjësi”, tha Berisha.

Më tej ka komentoi dhe pjesën e deklaratës së Blinken që shprehej se Berisha ka pasuruar dhe aleatët e tij politikë.

Berisha: Vendimi i SHBA ishte i papritur për mua

Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se vendimi i SHBA për ta shpallur “non grata” atë ishte i papritur.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha u shpreh se u informua nga persona të tjerë mbi njoftimin që kishte bërë në rrjetet sociale Sekretari Amerikan i Shtetit, ku njoftonte shpalljen si person të padëshirueshëm Sali Berishën për të hyrë në SHBA.

Blendi Fevziu: A ishte i papritur ky vendim?

Sali Berisha: Po. E mora vesh, ma dërgoi dikush tëitterin e tij dhe aty e mora vesh. Para 2 vitesh ka qenë ajo që këta do a ta shpallin non grata sepse ka akuzën e konspiracionit ndaj politikës së jashtme amerikane sepse kundërshtoja ndryshimin e kufijve të Kosovës. Këtë nuk e kam nga burime amerikane, por nga burimet më të larta shqiptare. Do i kërkoja z.Palmer që të paraqesë provën më të vogël. Nëse medon se me deklarata mund të argumentosh astë që pretendon, është e pamundur. /tvklan.al