Miliona njerëz në mbi 190 vende të botës, u zhytën në errësirë mbrëmjen e së shtunës, për të treguar solidaritet dhe përkushtim në shpëtimin e planetit nga ndryshimet klimatike.

Në Sidney, ku u prezantua për herë të parë iniciativa në vitin 2007, dritat  në Shtëpinë ikonike të Operës u fikën së bashku edhe me ndërtesa të tjera në qytetin e Sidneit.

Koloseu antik në Romë, u bë pjesë e fushatës globale e po ashtu monumentet turistike në Bangkok të Tajlandës qëndruan për një orë në errësirë për të inkurajuar qytetarët të kursejnë energji elektrike.

Edhe Akropoli i famshëm e humbi për pak shkëlqimin e tij për Orën e Tokës ashtu si godina të tjera në kryeqytetin grek. Edhe Kulla Eifel e Parisit u errësua për shtatë minuta të shtunën, duke u bashkuar me monumentet në mbarë botën për të shënuar Orën e Tokës.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Katedralen “Sagrada Familia” në Spanjë ku turistët e huaj vlerësuan nismën e ndërmarrë.

“Më shumë se sa ekonomike fikja e dritave për një orë  është një gjë simbolike, të ndalesh dhe të mendosh për një orë  për jetën dhe për botën”, tha një turiste

Fushata organizohet nga grupi “World Wide Fund for Nature”, dhe që prej 2007 është shndërruar në një lëvizje globale që zhvillohet në shume vende.

Klan News