Organizmi i dasmave në kushtet e reja, Marçela Lati: Pandemia mund të shërbejë për diçka…



Organizmi i dasmave në kushtet e reja, Marçela Lati: Pandemia mund të shërbejë për diçka…

19:46 31/07/2020

Programi “Rudina”, në Tv Klan solli ditën e sotme intervistën me administratoren e “Geraldina Sposa”, Marçela Lati. Përpara një viti e gjysëm, Marcela solli projektin e saj  më të ri me 11 modele këpucësh/sandalesh, të dizenjuara dhe prodhuara nga stilistë italianë, të cilat mbajnë emrin e saj: “Marçela Lati – Wedding Shoes”.

Ajo në program u shpreh se si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia rreth 50% e rezervimeve për dasma janë shtyrë për verën e vitit 2021. Shumë nuse zgjedhin të bëjnë sete fotografike në datën që ato kishin planifikuar, ose të bëjnë kokteile dhe festa të vogla.

Më tej, Marçela tha se dasmat që organizohen janë me një numër të reduktuar personash që janë kryesisht familjarë.

Sipas saj, pandemia po e vendos fokusin tek dasmat e vogla, që janë më të veçanta dhe krijojnë një atmosferë ndryshe, krahasuar me dasmat e mëdha.

Marçela Lati: Dasmat kanë filluar, sezoni i dasmave është zyrtarisht i hapur, por me kufizime të forta, për shkak të situatës që po jetojmë. Shumë nuse zgjedhin të bëjnë sete fotografike në datën që ato kishin planifikuar, ose të bëjnë kokteile dhe festa të shkurtra në kohë, të vogla vetëm me familjarë. Në bacet e shtëpisë të tyre po bëjnë festat së fundmi. Janë shumë të ndryshme nga ç’kishin bërë deri tani, por njerëzit po e gjejnë mënyrën për të festuar me kufizimet që kjo situatë ka shkaktuar tek të gjithë ne.

Rudina Magjistari: Besoj janë shumë më të rralla seç ishin parashikuar?

Marçela Lati: Janë shumë të rralla. Në këtë moment rreth 50% e rezervimeve të sezonit të kësaj vere është shtyrë për verën e 2021. Kështu që ato që mbeten janë dasmat e Gushtit, Shtatorit, Tetorit, vjeshtës, që shpresoj në një përmirësim të situatës dhe në një normalizim të gjendjes që të mund të festojnë siç kishin dashur, në të kundërt do adoptohen dhe ata.

Rudina Magjistari: Cila ka qenë dasma më e veçantë që keni bërë deri tani?

Marçela Lati: Të gjitha janë të veçanta!

Rudina Magjistari: Tani janë të ngjashme njëra me tjetrën, në këto kushtet e reja?

Marçela Lati: Janë të ngjashme se janë të vogla, me numër të reduktuar të ftuarish, kanë vetëm familjarët. Janë të gjitha në ambient të hapur dhe janë të gjitha në lokacione jo masive. Janë në ambientet e tyre, në vila private. Pra janë të kësaj natyre të gjitha, që me thënë të drejtën unë mendoj se kjo pandemia mund të shërbejë për diçka.

Rudina Magjistari: Në ç’kuptim?

Marçela Lati: Në kuptimin që nëse ne shohim edhe dasmat që admirojmë kur i shohim, janë dasmat me numër të kufizuar personash. Janë më të veçanta ke mundësi të bësh gjëra më të bukura sepse shpesh numri i personave të kufizon dhe lokacionin dhe mënyrën si t’i duhet ta zhvillosh dasmën. Kur ke një numër të reduktuar të ftuarish ke alternativa shumë më interesante për ta zhvilluar festën. Duke qenë numri i vogël, atmosfera është më familjare, se të gjithëve na ndodh që të kemi të ftuar në dasëm edhe njërëz që janë kushërij të largët dhe që t’i shihesh rrallë. Mendoj që kjo gjë mund të vlej, që mbase shqiptarët të mendojnë si perëndimorët, të bëjnë dasma pak të reduktuara në numër./tvklan.al




Të ngjashme