Organizata OSBE-ODIHR që ka vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri ka dalë sot me një raport paraprak lidhur me procesin zgjedhor. Vëzhguesit e OSBE kanë publikuar disa nga gjetje paraprake, ku theksuan se në Shqipëri mbetet një shqetësim presioni ndaj punonjësve civilë.

Por për OSBE një shkelje e rëndë është bërë dhe me publikimin e data bazës së të dhënave për qytetarët. Po ashtu OSBE ka dënuar dhe dy ngjarjet e rënda në Kavajë dhe Elbasan dhe kërkuan që të zbardhen sa më shpejt.

“Vijon të mbetet shqetësim presioni ndaj nëpunësve civilë. Të dhënat që janë publikuar, të dhënat personale për shtetasit shqiptar, patjetër që kanë përbërë problem. Kjo është një thyerje privatësie dhe konfidencialitet, një pikë shqetësuese që vlen për tu përmendur.

Dua të dënoj incidentet e dhunshme që paraprinë votimeve të së dielës që përfunduan me një të vdekur dhe një të plagosur. Këto incident e duhet të hetohen deri në fund. Nxitja e dhunës nuk duhet të tolerohet dhe duhet të dënohet“, është kjo një pjesë e deklaratës së vëzhguesve të OSBE.

OSBE: Problem shit-blerja e votës, ka pasur shumë akuza

Shit-blerja e votës është një nga shqetësimet që ka ngritur OSBE në raportin paraprak për zgjedhjet e 25 Prillit.

Në një konferencë për mediat, vëzhguesit e OSBE deklaruan se gjatë fushatës ka pasur shumë akuza për shit-blerjen e votës dhe për ta ky është një problem, pasi ka pasur akuza dhe ka një perceptim të qytetarëve se kjo shkelje ndodh.

“Gjatë ditës së votimit janë në dijeni të disa rasteve. Kanë folur për akuza dhe jo fakte. Jemi prej një kohe të gjatë që vëzhgojmë në disa vende. Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë se si do të përfundojnë këto akuza, si do të jetë rezultati do vazhdojmë ta monitorojmë këtë dhe kjo do të jetë një pjesë e punës tonë në të ardhmen, për të zbuluar nëse këto akuza ishin të sakta apo jo. Nëse do të ketë përgjigje negative  dhe akuzat nuk do të jetë vërtet patjetër që do të pasqyrohen në raportet tona”, vëzhguesi i OSBE.

Ndërkohë kryetarja e këtij misioni në Shqipëri Urszula Gacek tha se tashmë për shti-blerjen e votës SPAK ka nisur hetime dhe duhet pritur rezultatet.

Shit-blerja e votës jo vetëm është parë këtë herë, por perceptohet si problem. Kjo është një punë e autoriteteve për të parë se si do të trajtojnë këto raste. Kjo është e vetmja mënyrë që zgjedhësit të kenë besim tek procesi. Duhet të vijojnë hapat që të zgjidhet kjo çështje, duhet parë nëse besimi që po vendohet tek institucionet është i përhershëm apo jo“, tha ajo.

OSBE kritika për karantinimin emigrantëve: Duhet të ishin krijuar kushtet që të votonin

Misioni i OSBE në Tiranë për zgjedhjet e 25 Prillit ka dalë sot me një raport paraprak. Një ndër pikat e prekura nga ky mision është dhe ndalimi i ardhjes së emigrantëve nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ku për ta kërkohej një karantimim 14 ditor.

Sipas OSBE duhet që autoritetet që të siguronin që të gjithë qytetarët të ushtronin të drejtën e votës edhe pse situata e Covid kushtëzon lëvizjes e lira.  

“Doja të jepja një komet të shkurtër sa i përket shqiptarëve që jetojnë në Greqi që nuk u lejuan të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë. Dua të them opinionin tim personal që në raste të tilla ka shembuj që e praktikojnë që të ushtrojnë këtë të drejtë duke votuar në ambasada.

Shpresoj që të jetë një çështje për tu diskutuar dhe si mund të arrihet një konsensus për herët e tjera. Sa i përket kufizimeve për shkak të Covid, e kuptojmë që duhet të ishin krijuar kushtet e duhura që ta ushtronin votën. Do doja që të flasin autoritetet e vendit për këtë çështje“, tha vëzhguesi i OSBE.

Drejtuesja e misionit të OSBE: Të shqetësuar që personat me Covid nuk patën mundësi të votojnë

Drejtuesja e misionit të OSBE që ka monitoruar zgjedhjet në Shqipëri, Ursula Gacek, është shprehur e shqetësuar me ndalimin e të drejtës së votës për të sëmurët me Covid.

Në një deklaratë për mediat teksa kanë publikuar raportin me gjetje paraprake për zgjedhjet, Gacek u shpreh se të gjithë qytetarëve duhej t’u jepej mundësia për të votuar. Ajo shtoi se institucionet duhet të kishin ngritur qendra votimi në spitale.

“Më shqetëson se personat me Covid nuk patën mundësi të votojnë. Në spitale nuk u ngrit asnjë qendër votimi“, tha ambasadorja e OSBE.

Po ashtu sot misioni i OSBE njoftoi se do të jenë në Shqipëri deri në 7 Maj, ditë kur do të publikohet raporti përfundimtar për zgjedhjet./tvklan.al