Nënkryetarët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, me anë të një deklarate për shtyp iu përgjigjën kandidatëve Eduard Selami dhe Astrit Patozi, të cilët mes të tjerash kishin kërkuar shtyrje të zgjedhjeve për kryetar.

Dy nënkryetarët thonë se pas përmbylljes së procesit të paraqitjes së kandidaturave për Kryetar, sot do të mblidhet Kryesia e PDSH për të miratuar kandidaturat që do të garojnë.

“Komisioni i Organizimit dhe kontrollit te Operacioneve Elektorale, përbërja e tij dhe kryesimi krijohen në bazë të nenit 46 të statutit dhe është kompetencë e Kryesisë së PDSH.

Sipas pikës 2 të këtij neni ai ka autoritetin për përgatitjen dhe organizimin e operacioneve të votimit në nivel kombëtar dhe territorial dhe siguron rregullsinë e tyre. Ai ndërhyn në zgjidhjen e çështjeve elektorale në Degët e Partisë në përputhje me aktet e nxjerra për këtë qellim. Ai përgjigjet përpara Kryesisë së Partisë.

Në këto rrethana ne si drejtues te PDSH nuk mund të plotësojmë kërkesa që nuk parashikohen apo janë në kundërshtim me statutin, dhe as te ndryshojmë statutin e PDSH”, thuhet në deklaratë.

Paloka dhe Spaho garantojnë që brenda kompetencave tona do sigurojmë për çdo kandidat një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të Partisë Demokratike./tvklan.al