Për Papa Françeskun, lajmet e rreme dhe thirrjet e urrejtjes që përcillen në media përbëjnë rrezikun më të madh për shoqërinë e sotme. Shqetësimin ua shprehu edhe një grupi gazetarësh të huaj, të ftuar në një takim në Vatikan, të cilëve u kërkoi të mos rendin ndaj atyre që bërtasin më fort.

“Ju bëj thirrje të veproni mbi bazën e të vërtetës dhe drejtësisë në mënyrë që komunikimi të shërbejë si instrument për të ndërtuar, jo për të shkatërruar, për të dialoguar e orientuar dhe jo për monologje e për çorientime. Punoni për që bota të ecë në paqe, jo për të përhapur urrejtje. Jepini zë atij që nuk ka dhe mos u bëni megafon i atij që bërtet më fortë.”

Papa Françesku u bëri thirrje gazetarëve të kenë kujdes me përdorimin e fjalëve, ashtu si kirurgët tregohen të kujdesshëm gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale. E rëndësishme për kreun e Vatikanit është një media e lirë, e cila mund të përfaqësohet vetëm nga gazetarët e ndershëm, kurajozë, të lirë nga kushtëzimet dhe paragjykimet. Heqja e lirisë së shtypit, sipas tij është një prej masave kryesore që diktatorët ndërmarrin për të vendosur diktatin e tyre.

Tv Klan