Ktheu vendimin per golin e anulluar

Eliminimi i Partizanit nga Europa League pas barazimit 1 me 1 me Sheriff Tiraspol la një shije të hidhur për të kuqtë që ishin shumë afër kualifikimit, derisa moldavët barazuan me një gol të dyshimtë në minutën e 63 . Trajneri Franco Lerda u shfaq i pakënaqur nga rasti i golit të Sheriff që fillimisht u anulua dhe më pas u vlerësua si i rregullt, nga gjyqtari kroat Igor Pajac

“Kjo është gjëja më negative absolutisht në futboll. Mund të humbësh e fitosh ndeshje, por në këtë mënyrë të shqetëson shumë. Jemi vend i vogël dhe ndodhin këto raste të dyshimta. Gjyqtari ose duhet të ngrejë flamurin ose jo, nuk ka asgjë për të ndryshuar vendimin. Është e kotë të flasim për rezultat.”

Partizani zhvilloi një ndeshje të mirë në dallim nga përballja e javës së kaluar në Tiranë e humbur me rezultatin 1 – 0. Në takimin e luajtur të enjten në Tiraspol fillimisht shënoi Asani për kampionët e Shqipërisë, ndërsa të kuqtë kishin mundësi edhe të dyfishonin, por portieri kundërshtar i mohoi rrjetën Partizanit në një kundërsulm nga krahu i majtë ku Melo bëri gjithçka mirë, por topi nuk e kaloi vijën e portës. Këtë sezon asnjë nga ekipet shqiptare nuk kaloi të paktën një tur të kupave të Europës, ku përveç Partizani mori pjesë dhe Kukësi, Teuta dhe Laçi.

Tv Klan