Largimi i tij pas përplasjes me armë në një nga lokalet e qytetit

Një ditë pas kritikave të ashpra të Kryeministrit Edi Rama në lidhje me përplasjen me armë në një prej lokaleve të Sarandës, është shkarkuar shefit i Komisariatit të këtij qyteti, Syrja Bello.

Në vendin e tij është emëruar Klodian Kondi, i cili më herët ka mbajtur detyrën e shefit për hetimin e vrasjeve në Policinë e Tiranës. Ndërkohë që një sërë ndryshimesh të tjera kanë ndodhur në kupolën e policisë në rang nëndrejtorësh dhe shefash komisariatesh.

Në Drejtorinë e Policisë së Korçës zëvendësdrejtor emërohet Ferdinand Zere, i cili zë vendin e Hamdi Fiores që pak ditë më parë u emërua drejtor në Kukës. Pas emërimit të Oltion Bistrit si drejtor në Durrës, në vend të tij komandohet Ledio Lushka, shef i hetimit të krimeve.

Këto ndryshime u komunikuan gjatë mbledhjes me shefat e komisariateve dhe zëvendësdrejtorët e policive vendore. Atyre ju transmetuan gjitha porositë e dhëna nga kreu i qeverisë, për përmirësimin e imazhit të policisë tek qytetarët dhe luftën ndaj krimit.

Gjatë mbledhjes u kërkua të trajtohet me prioritet sezoni turistik dhe lufta ndaj kultivimit të kanabisit. Në fokus të porosive gjithashtu ishte dhe ndryshimi i sjelljes së efektivëve të policisë rrugore dhe repartit “Shqiponja”, në raport me qytetarët.

Tv Klan