Partia Demokratike ka vijuar me akuzat kundër qeverisë lidhur me rindërtimin pas tërmetit të 26 Nëntorit të vitit të shkuar. Në një deklaratë për mediat nga rrënojat e spitalit të Laçit, ish-deputetja Dhurata Çupi i kujtoi Ramës premtimin e bërë një vit më parë.

“Sipas premtimit të Edi Ramës një vit më parë, spitali sot duhet të ishte në punë. Por në të vërtetë, realiteti nga premtimet mashtruese të kryeministrit në ikje është shumë ndryshe”, u shpreh Çupi.

Më tej ish-deputetja tha se në vend të spitalit ka vetëm një grumbull inertesh. “Fatkeqësi për laçjanët dhe për shqiptarët që kemi një kryeministër që as nuk skuqet, as nuk zverdhet, kur mashtron sy për sy. Deri tani ka vetëm një projekt në3D, si çdo premtim tjetër i kryeministrit më të keq të Shqipërisë në këto 30 vite”, shtoi ajo.

Gratë, fëmijët, të sëmurët e tjerë të zonës së Kurbinit nuk e meritojnë të vuajnë pasojat e një qeverie të korruptuar dhe të paaftë për të zgjidhur problemet e qytetarëve”, theksoi më tej ish-deputetja Dhurata Çupi./tvklan.al