Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të prokurorisë së Dibrës për të pushuar hetimet për disa nga të dyshuarit e dosjes 184, duke premtuar se do t’i shkojë çështjes deri në fund.

“Loja e SPAK dhe ping-pongu me dosjen në segmentin Tiranë-Dibër, nuk është kurrë justifikim për mungesën e drejtësisë. Shitblerja e votave, e konstatuar nga prokuroria ka përgjegjës, së pari, Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Imer Lalën, Dionis Ymerin, Pjerin Ndreun dhe të tjerët. Këta duhet të përballen me ligjin për krimin që kanë kryer. Shqiptarët presin ndëshkimin e organizatorëve dhe nxitësve të krimeve elektorale. Kjo është një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Partia Demokratike nuk do të heqë dorë nga kërkesa për drejtësi të plotë për dosjen 184”, tha Bardhi.

Prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet për dosjen e famshme 184 duke marrë të pandehur katër persona. Sipas Prokurorisë, Robert Aga që mbante postin e shefit të Komisariatit të Dibrës do të përballet në gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Me të njëjtën akuzë do të përballet edhe ish-Drejtori i Arsimit në këtë qytet Drini Gjeci si dhe Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrativë Tomin. Ndërkohë një tjetër zyrtar i bën nën akuzë është edhe Hasan Hoti, por për këtë të fundit hetuesit kanë ngritur akuzën e kanosjes në zgjedhje.

/tvklan.al