Pas shumë përpjekjesh, sfidash, humbjesh, kirurgia plastike Romina Selenica po shijon një shtatzëni të shumëpritur. Për më tepër, lumturia është e dyfishtë pasi do të bëhet nënë binjakësh, djalë e vajzë. Gjatë rrëfimit të saj në “Rudina” në Tv Klan, ajo shprehu edhe sa janë lumturuar familjarët nga ky lajm, të cilët e mësuan në ditën e Krishtlindjeve përmes një surprize.

Por surpriza këtë herë kthehet mbrapsht. Prindërit i kanë dërguar dr. Rominës një videomesazh surprizë ku i përçojnë lumturinë dhe krenarinë vajzës së tyre.

Babai i dr. Rominës: Ne jemi mësuar me surprizat e bukura që na ke bërë, por kësaj radhe menduam që të të surprizojmë ne ty sepse na ke bërë gjithmonë, gjithë jetën tënde, si në shkollë, edhe në punë, krenarë. Ti je një vajzë ose grua që do ta kishte zili çdo prind. Siç ke zemrën, Zoti ta shpërbleu me punën tënde.

Nëna e dr. Rominës: Sot jemi më të lumtur se kurrë. Së shpejti do të sjellësh në jetë dy engjëjt e tu që ne mezi i presim me babin. Zoti shpërbleu dhe bekoi me dy fëmijë. Ashtu siç je një vajzë dhe një grua e fortë që nuk ndalesh për asgjë, jemi të sigurt që do të jesh një nënë e shkëlqyer. Ti Romina nuk e pret këtë surprizë, por ja edhe ne jemi surpriza.

E përlotur, kirurgia shpreh habinë dhe dashurinë për ta ndërsa rrëfen se ky mesazh vjen në një moment delikat për familjen.

Romina Selenica: Nga janari ne jemi duke luftuar me sëmundjen e babit kështu që në një moment që ne ishim shumë të gëzuar për ardhjen e dy bebave, Zoti më vuri sërish në një vështirësi dhe unë gjatë gjithë kësaj kohe jam vajtje-ardhje nga Italia për t’i mundësuar kurat babit kështu që kjo është një video për mua jo emocionues, por më shumë, nuk e prisja./tvklan.al