Pas propozimit që eventi të mbahet çdo dy vite, Presidenti i UEFA-s kërcënon me bojkot të Europës

Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin ka kërcënuar FIFA-n se do të përjetojë një bojkot europian nëse vendos që ta organizojë çdo dy vite kampionatin botëror. Sipas tij, edhe në Amerikën e Jugut e gjykojnë në të njëjtën mënyrë.

Ish-trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, i cili tani ka detyrën e shefit të zhvillimit global të futbollit në FIFA, ka nisur konsultimet me ish-futbollistët dhe trajnerët për ta vënë në zbatim idenë.

Sipas propozimit të tij, ndeshjet kualifikuese ndërkombëtare do të luheshin në një ose dy hapësira kohore dhe do të ishte një turne në fund të çdo sezoni, me Kupën e Botës që do të zhvillohej çdo dy vite.

Venger këmbëngul se nga ky propozim përfitojnë të gjithë.

Tani midis UEFA-s dhe FIFA-s po zhvillohet një luftë, ku në qendër të saj janë paratë dhe influenca.

Nëse Kupa e Botës organizohet çdo dy vite, kjo do të sillte fitime të mëdha për institucionin numër 1 të futbollit botëror.

Por ideja duket se i prish planet qeverisë europiane të futbollit.

Klan News