Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Përleshje me thika mes dy të burgosurve tek burgu 302. Ngjarja e rëndë ka ndodhur sot, rreth orës 15 brenda repartit 302, burg ky pranë komisariatit 3 në Tiranë. I burgosuri VIP i këtij burgu, i njohuri kartela, i dënuar për vrasje, ka goditur me thikë në gjoks një tjetër të burgosur, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Sipas burimeve të sigurta brenda burgut 302, kartela e ka qëlluar me thikë bashkëvuajtësin e tij në kohën kur janë përballur me korridorin e burgut, kur po dilnin për ajrim. Viktima është dërguar në spitalin e burgut, ku po mjekohet në gjendje të rëndë, ndërsa kartela është izoluar në dhomën e sigurisë së lartë, duke shtuar dhe masat e sigurisë brenda dhe jashtë burgut, për të eliminuar ndonjë revoltë të mundshme.

Ngjarja e rëndë ka alarmuar krerët e Ministrisë së Drejtësisë, ku në burgun 302 fill pas ngjarjes ishte zv/ministri Sokol Tona dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve Gramoz Xhaferraj. Sipas gardianëve të burgut 302 konflikti midis kartelës dhe kundërshtarit të tij mund të ketë nisur në ditët e tyre të burgut. Ky incident ka ringritur edhe njëherë problemin e sigurisë në burgjet shqiptare./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj