Barcelona mund të kërkojë përsëritjen e El Clasico për shkak të vendimeve të arbitrit që sipas katalanasve i dëmtuan mbi të gjitha për një gol të anuluar të Yamal edhe pse në pamje u pa që topi e kishte kaluar vijën fatale. Këtë e konfirmoi vetë presidenti i klubit, Johan Laporta në një deklaratat në faqen zyrtare, ndërsa sfida e rëndësishme e La Liga u fitua 3-2 nga Real Madrid. 

“Nëse do të konfirmohet se goli ishte i rregullt do të shkojmë më tej dhe nuk e përjashtojmë kërkesën për përsëritjen e ndeshjes, ashtu siç ka ndodhur në një ndeshje europiane për shkak të gabimit të sistemit VAR”, tha Laporta.

Takimi i përmenduar nga Laporta është ai mes Anderlecht dhe Genk ku pati një gabim në vendimet të dhëna nga VAR. Pas shqyrtimit iu dha të drejtë nga gjykata ekipit të Genk. Një tjetër rast i kundërshtuar nga katalanasit është penalltia e dhënë për Real në minutën e 17’ që u kthye në gol nga Vinicius Jr dhe barazoi rezultatin në 1-1.

Trajnerët patën mendime të ndryshme me Xavi që e quajti një turp, ndërsa Ancelotti një vendim të drejtë. Edhe në mediat vendase përmenden dy rastet, ndërsa ka nga ato që duan të anashkalojnë situatën duke shpallur kampion Real edhe pse nuk ka arritur matematikisht sigurimin e trofeut.

Tv Klan