Janë zhvilluar pa incidente dhe normalitet të plotë dy mitingjet të fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë ditën e fundit të fushatës zgjedhore, policia shqiptare ka qenë plotësish në gadishmëri me kontrolle dhe patrullimin në të gjithë qytetin. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë zhvilluar kontrolle të rrepta në të gjithë hyrjet e kryeqytetit.

Në Kombinat, forcat e repartit të ndërhyrjes me maska dhe antiplumb ndalojnë të gjitha automjetet e dyshuara duke kontrolluar për armë, dokumente identiteti dhe dokumente qarkullimi. Kontrolle janë bërë dhe në kthesën e Kamzës ku futen në kryeqytet makina me targa të veriut si dhe pranë Fakultetit të Filologjisë.

Gjatë zhvillimit të mitingut të Partisë Socialiste, zinxhirë me forca të shumta të policisë, kanë rrethuar sheshin për të ndërhyrë në raste incidentesh. Gjatë kësaj kohe, forca të shumta sigurie janë vendosur pranë Ministrisë së Rendit. Mjete të blinduara janë vendosur në rrethimin e brendshëm mes Ministrisë së Rendit dhe asaj të Pushtetit Lokal.

Situata është kontrolluar dhe në lartësitë rreth sheshit “Skënderbej” ku është zhvilluar mitingu. Në taracën e Ministrisë së Rendit janë vendosur forca policore me mitraloz ku janë vëzhguar lëvizjet nga lart. Në gadishmëri të plotë kanë qëndruar forcat blu dhe gjatë zhvillimit të mitingut të Partisë Demokratike. Për të mos provokuar situatën, efektivat e policisë kanë qëndruar në distancë me turmat e vendosura pranë Muzeut Kombëtar dhe Bankës Shqiptare.

Gadishmëria dhe kontrollet e policisë do të vazhdojnë gjatë këtyre ditëve, deri pas shpalljes së rezultateve përfundimare të votimit./tvklan.al