Një apartament në zonën e Lungomares në Vlorë që dyshohet se posedohet nga ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, u sekuestrua me vendim të Gjykatës së Posaçme.

SPAK i cili që prej vitit 2021 po kryen hetim mbi pasurinë e ish-kryebashkiakut, ka regjistruar një procedim penal në ngarkim të tij me dyshimet se nuk ka deklaruar dhe ka fshehur pasurinë e tij te të tretë.

Referuar njoftimit zyrtar të Prokurorisë, apartamenti është blerë gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnjë dhe nuk është deklaruar.

Ai rezulton i regjistruar në emrin e një kompanie që operon në fushën e ndërtimeve, por që hetimet e deritanishme tregojnë që posedohet nga Fatos Tushe.

Ky i fundit u paraqit në datën 10 Prill në Prokurorinë e Posaçme bashkë me avokatin e tij për t’u pyetur në lidhje me këtë pasuri.

Fatos Tushe është dënuar me vendim të formës së prerë për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera me 2 vite e 4 muaj burg, dënim që e ka shlyer.

Ai u arrestua në verën e 2021 në detyrë pasi ishte përgjuar nga SPAK për disa muaj bashkë me disa vartës të tij.

Tv Klan