Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” vjen në mënyrë organike paralelisht me një sërë politikash shëndetësore e sociale që kanë impakt në përmirësimin e shëndetit seksual, sidomos për të rinjtë e adoleshentët, por edhe atij riprodhues, me synim përcaktimin e rregullave të qarta, sipas praktikave më të mira kombëtare e ndërkombëtare.

Kështu shprehet Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale pas debatit të krijuar prej disa ditësh që ky projektligj është hedhur për konsultim publik.

Sipas Ministres kjo procedurë ndihmon në përthithjen dhe reflektimin e mëtejshëm të opinioneve të grupeve të interesit, profesionistëve të shëndetësisë, organizatave jofitimprurëse dhe shoqërisë civile, të cilat janë të angazhuara në çështje të shëndetit seksual dhe riprodhues.

Drafti synon të rregullojë zhvillimet e reja në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, duke përfshirë edhe shtatzaninë surrogate dhe riprodhimin in vitro. Nëse drafti i propozuar do të miratohet atëherë çdo grua e cila e ka të pamundur për shkaqe shëndetësore të mbetet shtatzënë ka të drejtën që të ketë një fëmijë përmes një marrëveshje me shkrim me një grua tjetër, e cila duhet të jetë mbi 25 vjeç e të ketë lindur më parë të paktën një fëmijë tjetër.

Gjithashtu projektligji qartëson edhe kushtet e abortit në Shqipëri, të papërcaktuara qartë në ligjin në fuqi, të miratuar në vitin 2002 “Për shëndetin riprodhues”.

Ligji njeh të drejtën për ndërprerje vullnetare të shtatzënisë në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose privat dhe mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, ndërsa aktualisht është 12 javë.

Projektligji i hap rrugë lejimit të abortit edhe tek të miturat e grupmoshës 16 vjeç. Sipas nenit 12 të kësaj nisme, për ndërprerjen e shtatzënisë, adoleshentet mund të abortojnë edhe pa djeninë e prindërve.

Vendimi për abortin duhet të konfirmohet paraprakisht nga Komisioni Posaçëm, por ai nuk do të kërkohet në rastet urgjente të rrezikut të menjëhershëm kërcënues për jetën.

Ministria e Shëndetësisë kërkon që nëpërmjet Projektligjit të ri të njihet edhe ruajtja e qelizave riprodhuese me metodën e ngrirjes.

Ndryshime kërkohen nga ministria përkatëse edhe në teknikat e riprodhimit mjekësor të asistuar in vitro, e përdorur për parandalimin e disa sëmundjeve me origjinë gjenetike, që mund të transmetohen nga prindi te fëmija.

Pas përfundimit të këtij procesi, pr/ligji do të reflektojë edhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime, deri në rrugëtimin e tij në Parlament.

Klan News