Procedura bëhet brenda 20 ditëve që të mos vonojë procesin

Procedurat e prokurimit të programeve të rindërtimit nuk do të zgjatin më shumë se 20 ditë, në mënyrë që ndërtimi i shtëpive për banorët e mbetur të pastrehë të nisë sa më shpejt.

Agjencia e Prokurimit Publik ka hartuar një udhëzim të posaçëm për mënyrën se si do të kryhen procedurat e tenderimit gjatë procesit të rindërtimit, të cilat do të jenë vetëm elektronike dhe të hapura, duke eliminuar në çdo lloj forme rastet e negocimit të kontratave pa shpallje.

Ndryshe nga rastet e tjera, kompanitë që do të ofrohen për të marrë punë publike të rindërtimit do të kenë vetëm 10 ditë kohë për të plotësuar dokumentet dhe për të dhënë vlerën financiare të veprave.

“Afati për përzgjedhjen e ofertës fituese duhet të jetë jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së ofertave. Më pas, operatori ekonomik fitues ftohet nga autoriteti përgjegjës të lidhë kontratën.”

Qeveria ka vendosur si kusht për përzgjedhjen e firmës fituese në tender, jo vetëm cilësinë e punimeve dhe ofertën ekonomike të më leverdishme, por edhe shpejtësinë e përfundimit të punimeve.

“Përzgjedhja e fituesit do të bëhet sipas kriterit të vlerësimit “oferta më ekonomikisht e favorshme”, që janë cilësia, çmimi dhe koha e zbatimit të kontratës.”

Ankimimi në Komisionin e Prokurimit Publik duhet të bëhet brenda 3 ditëve, dhe brenda 5 ditëve të tjera komisioni duhet të marrë vendim për pretendimet e operatorëve që kanë marrë pjesë në tender. Ky është një mekanizëm zhbllokues, i cili nuk mban peng lidhjen e kontratës deri në marrjen e një vendimi nga ana KPP-së, vendime të cilat zakonisht vonojnë me muaj.

Tv Klan