Çela: Bëjmë 15 ndërhyrje në ditë bashkë me kirurgjitë

Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, automjeteve dhe mbyllja e shumë bizneseve ka çuar në uljen drastike të traumave që kanë nevojë për ndërhyrje në spitalin ushtarak.

Në një intervistë për Televizonin Klan, shefi i shërbimit të kirurgjisë në spitalin e Traumës Dritan Çela, thotë se ndërhyrjet si pasojë e aksidenteve kanë rënë por ato janë kompensuar me urgjencat kirurgjikale të cilat që prej fillimit të pandemisë janë zhvendosur aty.

“Numri i aksidenteve dhe traumave ka rënë në 50- 60% por ndërkohë është rritur fluksi i urgjencave të tjera kirurgjikale, shkon rreth 15-16 ndërhyrje në ditë duke përfshirë këtu traumën dhe kirurgjinë e urgjencës”.

Për mjekët në spitalin universitar të Traumës, ajo çfarë ka ndryshuar është vetëm kujdesi i shtuar në situatën e koronavirusit, ku në sallë futen shpesh me veshje të posaçme, pasi numri i ndërhyrjeve është i njëjtë.

“Volumi i punës është aty aty, ne na kanë rënë traumat e rënda, ku për një person bëheshin disa ndërhyrje, ndërsa urgjenca kirurgjikale është më thjeshtë… kemi rastet e lehta siç janë apandesiti, apo rastet e renda siç janë tumoret”.

Edhe në shërbimin e urgjencës fluksi është përgjysmuar, përgjatë 24 orëve në spitalin e Traumës paraqiten mesatarisht 120 urgjenca në 24 orë.

Tv Klan