Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Gjykata e Tiranës në seancën gjyqësore të ditës së sotme, mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, për ekstradimin e shtetasit shqiptar Bernard Martinaj, për në Amerikë. Bernard Martinaj, në Korrik të vitit 1997, ka kryer veprën penale të vrasjes së një shtetasi dhe plagosjen e një tjetri. Pas kryerjes së kësaj vepre ai është larguar nga Nju Jorku dhe është kthyer në Shqipëri.Pas disa muajve ai u kap në flagrancë si mbajtës droge dhe u dënua me tre vjet heqje lirie.

Në seancën e sotme, prokurori i çështjes Ardian Visha, i kërkoi trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Kreshnik Omari, që të merret në konsideratë kërkesa e bërë nga ana e tyre dhe të përshpejtohen procedurat e Bernard Martinaj. Ndërsa avokati i Martinaj, Maks Haxhia, i kërkoi trupit gjykues pezullimin e çështjes në ngarkim të klientit të tij dhe kalimin e saj në Gjykatën Kushtetuese./tvklan.al