Emisioni Stop në Tv Klan publikon pamjet e plagosjes me armë zjarri të 27-vjeçarit A.J., ngjarje e ndodhur më 1 Mars 2024 në qytetin e Pogradecit tek kryqëzimi i Tushemishtit.

Në këto pamje shihet dinamika e plotë e ngjarjes, nga momenti kur mbërrijnë autorët me një fuoristradë Mercedes, prej nga dalin 3 persona.

Nga sedilja e pasme, pasagjeri që del mban në dorë një pistoletë, gjë që është filmuar nga kamerat e sigurisë. Të tre këta persona janë në kërkim të 27-vjeçarit me të cilin kishin një konflikt për motive banale.

Në trotuar gjejnë motorin e tij të parkuar, por jo 27-vjeçarin. Në këto rrethana, nisin ta shkatërrojnë mjetin e më pas largohen.

Pak minuta më vonë aty shfaqet 27-vjeçari që gjen motorin të rrëzuar përtokë. Ai pyet një kalimtar të rastit se çfarë ndodhi dhe kërkon të informohet. Largohet drejt një blloku pallatesh përballë vendit ku kishte parkuar motorin.

Autorët duket se ishin në kërkim të tij në atë zonë. Ata e vënë re 27-vjeçarin A.J. në rrugicën ku po kalonte dhe i shkuan nga mbrapa. Në atë vend ka ndodhur edhe plagosja me armë.

27-vjeçari mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital. Ndërsa autorët u larguan me shpejtësi, por u arrestuan pas disa orësh. Ata janë D.M. 32 vjeç dhe K.L. 27 vjeç. I pari dyshohet se është personi që qëlloi me pistoletë me mulli, armë që u sekuestrua.

Policia njoftoi se të dy këta persona u arrestuan pas negociatave me familjarët dhe pranuan të vetëdorëzoheshin.

Në prangat e policisë ra edhe vetë i plagosuri, pasi iu gjet një pistoletë me të cilën kishte qëlluar ndaj agresorëve.  /tvklan.al