Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Për qytetin e Cërrikut, fillon pika e kthesës. Në vitet që kaluan, në qytetin e naftëtarëve, u investuan gjithsej 16 milion lekë të reja. 650 familje në qytetin prej 15 mijë banorësh jetojnë me asistencë sociale, ndërsa 65% e popullsisë të aftë për punë është e papunë. Qyteti Cërrik, që dikur bazën ekonomike dhe financiare e kishte të lidhur ngushtë me rafinerinë e naftës, Metalurgjikun dhe disa ngastra toke përreth, u ndodh në vitet e demokracisë, në mes të katër rrugëve.

Banorët e Cërrikut prej vitesh kanë ngritur shqetësimet e tyre, mirëpo vetëm disa kërkesa minimale iu janë marrë parasysh. Të ndodhur në këto kushte, pushtetarët e rinj të bashkisë, këshilli bashkiak dhe vetë kryetari, kërkuan ndihmën e pushtetit qendror. Për t’u njohur nga afër me problemet dhe për t’i dhënë zgjidhje halleve më kryesore në qytetin e naftëtarëve zbriti Ministri i Punëve Publike Spartak Poçi dhe nënkryetari i parlamentit Namik Dokle.  

Në fazën emergjente për Cërrikun janë planifikuar 80 milion lekë të vjetra investime. Rrjeti elektrik dhe kanalizimi i ujërave të zeza, do të thithin fondet e para të planifikuara. Në një fazë të dytë për Cërrikun, qeveria ka menduar të planifikojë jo pak por rreth 35 milion lekë të reja, pa përfshirë sensibilizimin që do t’u bëhet shoqatave dhe Organizmave të ndryshme Jo Qeveritare./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori