Tirana, Shkodra e Durrësi janë qytetet më të rrezikuara se të tjerat në lidhje me koronavirusin. Kështu u shpreh këtë të hënë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan.

Ajo iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu në lidhje me QSUT-në që kohët e fundit është kthyer në vatrën kryesore të koronavirusit në vend.

Sipas ministres, edhe në spitale mund të ndodhin që të dalin raste me Covid-19 pasi edhe ky sektor si çdo sektor tjetër u rihap pas karantinës. Megjithatë sipas saj ky nuk është një fenomen që ndodh vetëm në Shqipëri, pasi ka ndodhur  në Itali, Spanjë edhe Gjermani.

“Përgjegjësia kryesore e strukturave të shëndetësisë dhe e jona përgjatë epidemisë është sigurimi që mjekët dhe infermierët, pra personeli mjekësor të kenë materialet e mbrojtjes. Kur ne jemi të lirë, ekspozimi është më i madh. Edhe në sistemin shëndetësor ndodh e njëjta gjë. Ne e rihapëm edhe atë. Nuk ishim më si në karantinë, kur bëheshin ndërhyrjet e planifikuara. Spitale janë struktura ku nuk vijnë persona të shëndetshëm por persona të sëmurë me shumë patologji, ku mund të jenë edhe ata që kanë Covid dhe detyra e personelit është të mundësojë që nëpërmjet protokolleve të mundësojë këto raste pa hyrë në spital. Kjo ka ndodhur në Romë, ka ndodhur në Spanjë, në shumë vende, edhe në Gjermani madje. Janë fenomene që duhen shmangur, por janë edhe të pashmangshme”, tha Manastirliu./tvklan.al