Gjiknuri: Analizë rezultatit të zgjedhjeve dhe ndryshime në statut 

Ndërsa presin nisjen e mandatit të tretë qeverisës, socialistët kanë filluar punën organizative të partisë për sfidat e ardhshme zgjedhore, atë të zgjedhjeve lokale dhe mandej edhe për të siguruar një mandat të katërt qeverisës.

Vetëm pak ditë pasi prezantoi ekipin e ri drejtues, kreu i socialistëve, Edi Rama nuk ka humbur kohë dhe mbledhur këtë të martë Sekretariatin e ri të partisë, i cili drejtohet nga Damian Gjiknuri, që tashmë mban pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Pas mbledhjes në një prononcim për media, Gjiknuri bëri të ditur se fillimisht puna do të fokusohet tek analiza postzgjedhore dhe ristrukturimi i partisë.

“Së bashku me sekretarët e rinj do të ndërtohet një proces i vazhdueshëm duke filluar me analizat post-zgjedhore, njëkohësisht edhe për të strukturuar partinë në mënyrë të tillë që të përballojë sfidat që pret PS në mandatin e tretë. Brenda dy vitesh do kemi zgjedhjet vendore dhe në 4 vjet do kemi zgjedhjet e përgjithshme dhe unë mendoj që është koha e mjaftueshme dhe për të testuar riorganizimin e ri të partisë”.

Ai gjithashtu bëri të ditur se krahas punë me strukturat, do të punohet edhe për qartësimit të rregullave të funksionimit të partisë.

“Do të zgjasë deri në fund të vitit. Fillimi i vitit do të gjejë PS edhe me një statut të ri, edhe me një riorganizim të ri për t’ju përgjigjur sfidave që kërkon mandati i tretë, pasi mandati i tretë, e ka thënë dhe Kryeministri dhe kryetari i partisë, është një mandat i vështirë, njerëzit kanë pritshmëri, PS ka një eksperiencë të madhe, por ka pasur dhe probleme të cilat ne duhet të reflektojmë”.

Krahas Damian Gjiknuri, në Sekretariatin e ri të partisë bëjnë pjesë edhe Blendi Klosi si sekretar organizativ, Anila Denaj Sekretare e Burimeve Njerëzore, Etilda Gjonaj Sekretare e Gruas, Etien Xhafaj Sekretar Dixhital, Romina Kuko Sekretare e marrëdhënieve me jashtë dhe Bojkena Basha sekretare për rininë.

Tv Klan