Rama: Plan për të bllokuar aeroportin deri për zgjedhje, gjetët kryeministrin e gabuar për ta sfiduar



Rama: Plan për të bllokuar aeroportin deri për zgjedhje, gjetët kryeministrin e gabuar për ta sfiduar

16:39 07/04/2021

Gjatë takimit elektoral që zhvilloi në Tepelenë, Kryeministri Edi Rama u ndal të fliste edhe për grevën e kontrollorëve të Albcontrol që ka pezulluar fluturimet në aeroportin e Rinasit. Rama e konsideron këtë akt një grusht shteti dhe se pas tij fshihet Ilir Meta dhe Sali Berisha. Sipas tij, kjo lëvizje është në vazhdën e përpjekjeve për të rrëzuar qeverinë Rama. Por kreu i qeverisë u shpreh, se për këtë rast është gjetur kryeministri i gabuar për t’u sfiduar. Ai u bëri thirrje kontrollorëve që të kthehen në detyrë para se të jetë vonë.

“Ka ndodhur një akt i paimagjinueshëm. Është marrë peng aktiviteti i aeroportit nga një grup i nxitur nga Ilir Meta dhe Sali Berisha. Sali Berisha ka dalë prej ditësh hapur duke nxitur këtë akt, ndërkohë që Ilri Meta ka hedhur gurin, një gur që quhet ‘leshko’, nuk është simbolike, është reale dhe që pasi ka fshehur dorën edhe ai e ka lënë vetvetiu padashje duke të lënë të kuptohet se është pjesë, sikundër nuk ka shqiptar që nuk e kupton menjëherë si dhe pse Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në këtë akt nxitës të drejtpërdrejtë në vazhdën e një përpjekjeje të dëshpëruar për të rrëzuar me çdo kusht qeverinë tonë, për të rrëzuar edhe shtetin po qe nevoja për rrëzimin e qeverisë, dhe me këtë rast kanë menduar që të vrasin disa zogj me një gur, të bllokojnë edhe vaksinimin. Sot duhet të mbërrinte në aeroport sasia tjetër e vaksinave, kjo nuk është e mundur. Kanë bërë llogaritë gabim. Kanë gjetur qeverinë dhe në këtë rast kryeministrin më të gabuar për ta sfiduar me të tilla rastesh ekstreme. Kanë shfrytëzuar kokat më të nxehta brenda tek kontrollorët e Albcontrolit që kanë përfshirë në operacion edhe të tjerët. I bëj thirrje të tjerëve që të kthehen sa më parë në detyrë  përpara se të jetë vonë”.

Sipas Ramës, plani është që të bllokohet aeroporti deri ditën e zgjedhjeve, por kjo sipas tij do të dështojë.

“Plani i tyre për të bllokuar aeroportin mundësisht deri në ditën e zgjedhjeve dhe plani i tyre për të goditur mu në zemër një aktivitet vital, një pikë që lidhet dhe me sigurinë kombëtare, do të dështojë. Mos harroni, pavarësisht se çfarë bindjesh keni, të mos e harroni dhe këtë akt sepse bllokimi i aktivitetit të këtij aeroporti në këtë moment, bllokon ardhjen e vaksinave, bllokon lëvizjen e lirë të qytetarëve, bllokon kthimin  në atdhe të atyre njerëzve që duan të kthehen për një mijë e një arsye, bllokon kthimin në atdhe të atyre që kanë humbur jetën jashtë dhe të afërmit duan t’i varrosin këtu”.

Kreu i qeverisë foli edhe për humbjen e gjyqit me Francesco Becchetti-n. Sipas tij, njerëzit më të gëzuar për humbjen e gjyqit ishin Meta dhe Berisha.

“Ai marifetçiu bashkë me Ilirin dhe Saliun do marrin atë që nuk thuhet, do marrin atë që nuk hahet, asgjë tjetër nuk kanë për të marrë nga shqiptarët dhe Shqipëria. Lufta ndaj atij marifetçiu të paskrupult vazhdon sepse kërkohet nga drejtësia shqiptare dhe nuk do ta lemë të fusë duart në xhepat e shqiptarëve”, tha Rama.

Fluturimet në aeroportin e Rinasit janë bllokuar pa patur një afat të përcaktuar. Shkak është bërë lënia e punës nga 60 kontrollorë të trafikut ajror në Shqipëri, të punësuar pranë Albcontrol, të cilët kryejnë shërbimin e sinjalizuesit për navigimin ajror dhe ulje-ngritjen e avionëve./tvklan.al







Të ngjashme