Situatë dramatike në kufirin me Turqinë. Përleshje me policinë e ushtrinë

Udhëtimi i tyre me shpresën për të mbërritur ne Perëndim u ndal në kufirin me Greqinë. Ndonëse Turqia i hapi portat për refugjatët sirianë që mbaheshin prej vitesh në kampe, autoritetet greke nuk bënë të njëjtën gjë. Pala greke shtoi forcat ushtarake në kufi pranë Pazarkule si dhe nuk i lejuan emigrantët të kalonin. Disa prej tyre arritën të çanin gardhin e telave me gjemba, por u kthyen sërish, madje edhe të dhunuar.

Kjo situatë shkaktoi tensione në kufirin greko-turk. Përballë turmës me dhjetëra mijëra refugjatëve, ushtrua greke hodhi gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Aktet e dhunës nuk munguan as nga emigrantët të cilët qëlluan me gurë mjetet e ushtrisë greke.

Të vetmit që mund të kalonin ishin një numër i vogël klandestinësh të cilët u futën në territorin e Greqisë duke përdorur gomonet prej llastiku. Në përleshje e sipër disa kanë çarë edhe telin me gjemba duke prekur tokën greke.

Ata që kanë mundur të kalojnë thonë se do të shkojnë në vendet e Europës, kryesisht në Gjermani.

“Do të shkojmë në Athinë. Më pas në Gjermani ose në Bosnje apo Hungari. Duam të jemi në hotel”.

Numri i refugjatëve që ndodhen në kufi po rritet ndjeshëm sipas autoriteteve turke ka arritur në mbi 30 mijë ndërsa situata pritet të përkeqësohet. Për presidentin turk Erdogan kjo gjendje pritej dhe Perëndimi ishte paralajmëruar më herët për hapjen e portave nga ana e Ankarasë.

“Ua kemi thënë edhe më parë, por nuk na kanë marrë seriozisht. Dje i hapëm dyert dhe tani e tutje do të jenë gjithmonë të hapura. Pse? Sepse Bashkimi Evropian duhet të mbajë fjalën. Ne nuk jemi në gjendje që të ushqejmë refugjatët. Nëse jeni të drejtë duhet të mbështesni edhe ju. Për sa kohë nuk do të na ndihmoni, do t’i hapim dyert”.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe ‘Amnisty International’ që shpreh shqetësimin për situatën në kufirin greko-turk. Kjo organizatë i bëri thirrje Bashkimit Europian dhe veçanërisht Greqisë dhe Bullgarisë që t’i pranojë refugjatët.

Klan Plus