I qetë dhe optimist megjithëse e di vështirësinë e provimit të parë me kombëtaren kuqezi. Edy Reja kërkon që skuadra të bëjë lojë të mirë ndaj Islandës në mënyrë që të shpërblehet mundi i stërvitjes së deritanishme

“Sistemi po funksionon, mundi i tyre nuk po shkon dëm. Para së gjithash dua që skuadra të ketë ekuilibër në fushë dhe e organizuar. Nuk mund të marrësh rezultat duke u mbrojtur. Edhe mbrojtësit duhet të marrin pjesë në fazë sulmuese. Duhet të mundohemi të hidhemi të parët në sulm dhe të mos i lëmë mundësi pasi në ajër dhe fizikisht janë të fortë.”

 Tekniku ka sqaruar edhe çështjen Grezda, arsyen e largimit të futbollistit nga grumbullimi.

“Grezda nuk do të jetë për këto dy ndeshje sepse ai është tërhequr pasi kemi pikëpamje të ndryshme. Ai mori përgjegjësinë të largohet, por është në planet tona. Në të ardhmen do të ulemi të diskutojmë.”

Ndërkaq islandezët janë shfaqur me dilema. Në konferencën për shtyp, trajneri Erik Hamren ka thënë se nuk e di se çfarë mënyre loje do të përdorë trajneri i ri i Shqipërisë.

“Ajo që na shqetëson është se si do të luajnë në këtë përballje. Ata kanë ndryshuar trajner. Jemi munduar që t’i studiojmë, por është e vështirë për të kuptuar se me çfarë sistemi do luajnë dhe si do e organizojnë lojën.”

Takimi do të luhet në orën 15:00 të së shtunës në kryeqytetin Reykjavik.

Tv Klan