Kievi akuzon ushtarët ruse se po dëmtojne impjantin

Ky tym del pranë impjantit bërthamor më të madh të Europës, në Zaporizhia, atje ku ukrainasit thonë se rusët kanë hedhur raketa gjatë gjithë natës. Këto filmime tregojnë se në disa pjesë të centralit bërthamor nën kontrollin e rusëve, ata po magazinojnë sasi të mëdha armatimesh dhe municionesh. Ndërsa territorin përreth po e minojnë.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski akuzoi Moskën për akte terrorizmi, pasi sipas tij po dëmtohen qëllimisht strukturat e centralit bërthamor, për të nxitur një tjetër tragjedi si ajo e Çernobilit. Agjencia ndërkombëtare për energjinë bërthamore IAEA paralajmëroi më herët gjatë kësaj jave se centrali i Zaporizhias është në rrezik nga luftimet dhe mund të shkaktojë një katastrofë me pasoja të paparashikuara, nëse nuk shmangen luftimet në këtë zonë.

Zbulimi britanik tha të Shtunën se faza e radhës e sulmit rus është të zgjerojë zonën  e pushtuar nga jugu i Ukrainës drejt veriut, deri në Zaporizhia, për të marrë kontrollin e gjithë territorit që shtrihet në lindje të lumit Dnipër.

Tv Klan