Rusia nisi një sulm me raketa në kryeqytetin ukrainas, Kiev duke vrarë 5 dhe duke plagosur të paktën 10 persona dhe duke dëmtuar ndërtesa banimi dhe objekte industriale.

“Pas një pauze prej 44 ditësh, armiku nisi një tjetër sulm me raketa në Kiev. Të gjitha shërbimet e urgjencës janë duke punuar në disa lokacione”, bënë të ditur në një deklaratë autoritetet e Kievit. Ky është sulmi më i madh në javët e fundit që shënjestron qytetin me raketa balistike.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi të 31 raketat ruse që synonin kryeqytetin. Ushtria ruse përdori bombardues strategjikë dhe gjithashtu lëshoi disa raketa nga territori i saj, ndërsa pas manovrave në rajonet fqinje, raketat synuan qytetin nga drejtime të ndryshme. Alarmet ajrore zgjatën për gati tre orë. Banorët në lagjen qendrore të Shevchenkivskyi u evakuuan pasi një prej apartamenteve mori flakë.

Ndërkaq Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan gjatë një udhëtimi në Kiev u shpreh se një paketë e madhe ndihme e SHBA-së që është bllokuar nga republikanët do të arrijë në Ukrainë dhe u zotua se mbështetja e Uashingtonit do të vazhdojë.

“Presidenti Biden po lufton çdo ditë, për të miratuar 60 miliardë dollarët që Senati ka miratuar mbi baza dypartiake. Unë kam besim se ne do të arrijmë planin A. Ne do të marrim një votë të fortë dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve për një paketë ndihme për Ukrainën”.

Kreu i presidencës ukrainase Andriy Yermak theksoi se nevojat aktuale në fushëbetejën e Ukrainës, do të diskutohen samitin e aleancës ushtarake të NATO-s në Uashington në korrik dhe një samit të paqes në Zvicër që Kievi dëshiron të ndodhë këtë pranverë.

Mes të tjerash shumë analistë perëndimorë të sigurisë kombëtare kanë deklaruar se sigurimi i një tjetër mandati presidencial do t’i japi edhe më shumë fuqi Putin për të mobilizuar edhe më shumë ushtarë në front.

Sipas tyre Rusia synon të krijojë 2 ushtri të reja, 30 formacione ushtarake shtesë, duke përfshirë 16 brigada dhe 14 divizione, që në total përfshin nga 240,000 deri në 768,000 ushtarë të pa trajnuar. Vitin e kaluar, inteligjenca ushtarake ukrainase paralajmëroi se numri i pritshëm i mobilizimit rus paszgjedhor do të ishte rreth 500,000.

Kjo është arsyeja pse ish-komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, gjenerali Valeriy Zaluzhny, alarmoi qeverinë e Volodymyr Zelensky për nevojën urgjente për të rekrutuar të paktën 400,000 ushtarë të rinj ukrainas për t’u përgatitur. Parlamenti ukrainas është ende duke luftuar për ligjin e ri të mobilizimit i cili po has pengesa në miratim dhe në vend të kësaj, Kievi dërgon sinjale në Evropë për vendosjen e mundshme të trupave të NATO-s.

Klan News