Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka komentuar kongresin e kundërshtarëve socialistë, si “Kongresi i vetmisë së madhe” dhe i dështimit të plotë. Ata tha Berisha, nuk dhanë asnjë përgjigje për problemet e mëdha që përplaset sot vendi. Sipas tij, premtimi real ishin skafet dhe braktisja e vendit. Berisha nënvizoi se ky kongres gjithashtu rrëzoi për herë të dytë kryeministrin Meta.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Nuk e vlerësoj si kongresin e dështimit të plotë atë, për faktin se rrëzoi kryeministrin, sepse ishte njoftuar, që do të konfirmohej kryeministri Meta në rast të një fitoreje imagjinare të PS. Nuk është i dështuar kongresi i PS, se nuk pati miq nga bota. Nuk është i dështuar as për faktin se nuk morën pjesë partitë e koalicionit qeveritar, por është i dështuar sepse nuk dha asnjë përgjigje për problemet e mëdha me të cilat përballet vendi”.

I pyetur rreth emrit të kryeministrit të opozitës, Berisha u shpreh:

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Preokupimi ynë madhor është se si t’u gjejmë punë të papunëve, si të krijojmë vende pune. Preokupimi ynë më madhor është si të ndryshojmë arsimimin dhe të përmirësojmë strukturën e arsimit, kujdesi shëndetësor, se si të ulim taksat, se si të këpusim lakun e varfërisë, pastaj jeni të sigurt se ne do të gjejmë një kryeministër shumë herë më efiçent”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego