Sulmet izraelite gjatë natës në qytetin jugor të Gazës, Rafah, shkaktuan vdekjen e 22 personave mes tyre 18 fëmijë. Izraeli kryen sulme ajrore në Rafah pothuajse në baza ditore. Në këtë vend gjenden mbi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës, që është strehuar aty nga luftimet në pjesë të tjera të territorit.

Sulmi ndodhi ndërsa nga ShBA-ja vijnë lajme se një njësi e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit do të vendoset nën sanksione për shkeljen e të drejtave të njeriut në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Sipas mediave izraelite, zyrtarët e Departamentit të Shtetit kanë konfirmuar se po përgatiten të vendosin sanksione ndaj batalionit Netzah Yehuda të IDF-së, i cili është akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut kundër palestinezëve.

Lëvizja shumë domethënëse, e cila do të shënojë herën e parë që qeveria amerikane vë në shënjestër një njësi të ushtrisë izraelite, shkaktoi zemërim të menjëhershëm midis liderëve politikë që u zotuan ta kundërshtojnë atë. Gazeta izraelite Haaretz raportoi të dielën se SHBA po shqyrtonte gjithashtu lëvizje të ngjashme kundër njësive të tjera policore dhe ushtarake.

Lajmi për sanksione të mundshme kundër batalionit Netzah Yehuda vjen pas një deklarate të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Pretendohet se Izraeli ka shkelur ligjin Leahy, i cili ndalon ofrimin e ndihmës ushtarake për policinë ose njësitë e sigurisë që kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të dielën se do të luftojë kundër vendosjes së sanksioneve ndaj çdo njësie ushtarake izraelite.

“Nëse dikush mendon se mund të vendosë sanksione ndaj një njësie të IDF-së (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit), unë do ta luftoj atë me gjithë forcën time”, tha Netanyahu në një deklaratë.

Ushtria izraelite tha se batalioni Netzah Yehuda është një njësi luftarake aktive që vepron sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Klan News