SHBA ndalon fluturimet me Europën

Greqia ka shënuar viktimën e parë nga koronavirusi teksa numri i të prekurve mbetet 98, pasi orët e fundit nuk janë shënuar të infektuar të rinj. Viktima është një 66-vjeçar, i cili rezultoi i infektuar pas kthimit nga një pelegrinazh në Egjipt dhe Izrael muajin e kaluar. 66-vjeçari ndodhej prej kohësh në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Patrës ku edhe ndërroi jetë.

Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Pecas, që bëri publik lajmin, bëri thirrje që të mos përhapet panik për këtë rast. Ai kërkoi nga qytetarët të vazhdojnë të zbatojnë masat rigoroze të higjienës dhe të shmangin sa më shumë të jetë e mundur daljen nga shtëpitë, për të shmangur prekjen nga koronavirusi.

Në Itali, Kryeministri Xhuzepe Konte shpalli një paketë shtesë masash të ashpra, duke urdhëruar mbylljen e dyqaneve, bareve e restoranteve në gjithë vendin. Konte tha se hapur mund të qëndrojnë vetëm dyqanet e ushqimeve, ata të cigareve, shtypit dhe farmacitë. Qeveria po ashtu po shqyrton mundësinë e shndërrimit të hapësirës gjigante të sallës së panaireve në Milano në një spital të madh brenda 6 ditësh, duke ndjekur modelin kinez. Numri i viktimave në gjithë Italinë ka arritur në 827 dhe mbi 10 mijë janë të infektuarit. Orët e fundit ka shkuar në mbi 1 mijë edhe shifra e të shëruarve.

Masë drastike kundër përhapjes së koronavirusit vendosi edhe presidenti amerikan Donald Tramp. Në një konferencë për shtyp, ai shpalli ndalimin e të gjitha fluturimeve hyrëse nga vendet europiane. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se vendimin e kishte marrë pas një konsultimi të gjatë me ekspertët e shëndetësisë. Sipas tij, Bashkimi Europian dështoi në marrjen në kohë të masave për ndalimin e të udhëtimit nga Kina dhe vatrat e tjera të koronavirusit. Për këtë arsye sipas tij, ky virus po përhapet në gjithë Europën me ritme të shpejta, prej nga e ka origjinën edhe përhapja në Shtetet e Bashkuara. Numri i viktimave të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka arritur në 38 dhe mbi 1300 ai i të infektuarve.

Numri i infektimeve të reja në Kinë ka arritur një tjetër pikë të ulët. 15 persona u infektuan orët e fundit, çka tregon edhe një herë se autoritetet kineze, tashmë e kanë fituar luftën me këtë virus.

Përhapjen e koronavirusit, OBSH e shpalli të mërkurën “pandemi globale”. Në gjithë globin, aktualisht numërohen mbi 4600 viktima dhe afro 127 mijë të prekur që prej fillimit të përhapjes. Numri i të shëruarve ka arritur në mbi 68 mijë.

Tv Klan